KFOR-i deklarohet pas vizitës që Michele Risi kreu në Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Deçanit

15.08.2020 20:54:28

Komuna i ka ndaluar punimet që janë duke u zhvilluar në rrugën pranë Manastirit të Deçanit.

Komandanti i misionit të drejtuar nga NATO në Kosovë, gjeneralmajor Michele Risi, vizitoi sot Zonën e Veçantë të Mbrojtur të Deçanit, e cila përfshin Manastirin Ortodoks serb të Deçanit, zonën religjioze të mbrojtur nga KFOR-i i cili vepron si reaguesi i parë i sigurisë.

Situata e përgjithshme në zonën e veçantë të mbrojtur të Deçanit ka qenë temë diskutimi mes komandantit të misionit të NATO-s në Kosovë, Michele Risi dhe kryetarit të Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

Komandanti i KFOR-it gjithashtu u takua me Peshkopin Sava Janjiq në Manastir.

Në të dy takimet u diskutua për situatën e përgjithshme në zonë, duke marrë parasysh ndikimin e veçantë në siguri të punimeve në rrugën R108 që shtrihet në afërsi të Manastirit Deçanit.

Gjeneral Majori Risi riafirmoi angazhimin e paanshëm të KFOR-it për të vazhduar të kontribuojë në një mjedis të qetë dhe të sigurtë dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

“Në të dy takimet u diskutua për situatën e përgjithshme në zonë, duke marrë parasysh ndikimin e veçantë në siguri të punimeve në rrugën R108 që shtrihet në afërsi të Manastirit të Deçanit”, thuhet në një njoftim.

“Gjeneral Majori Risi riafirmoi angazhimin e paanshëm të KFOR-it për të vazhduar të kontribuojë në një mjedis të qetë dhe të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë, në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara”, shtohet ne njoftim.

Kujtojmë se sot presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se Manastiri i Deçanit po rrezikohet nga punët e paligjshme që po kryhen në rrugë.

Ai ka theksuar se në mbledhjen tjetër në Bruksel, Serbia do të kërkojë nga përfaqësuesit nga Prishtina që t’i ndërpresin urgjentisht punimet në zonën e mbrojtur të manastirit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 2016 kishte marrë vendim sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë. Por, ky vendim nuk është zbatuar asnjëherë nga ana e kësaj komune.

Zyrtarë të institucioneve ndërkombëtare në Kosovë, në vazhdimësi kanë bërë thirrje që të respektohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese.