KFOR: Policia e Kosovës nuk duhet të marrë lejen tonë që të hyjë në veri

09.06.2019 22:54:54

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, edhe një herë ka komentuar aksionin e Policisë së Kosovës, që ka ndodhur në muajin maj në veri të vendit.

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, ka thënë se aksionin të cilin Policia e Kosovës e zhvilloi në muajin maj në veri të vendit, ka qenë një aksion i qetë.

Sipas tij, KFOR-i dhe askush nuk duhet të dijë për aksionet policore dhe kjo është arsyeja pse Policia e Kosovës, konkretisht Njësitë speciale të policisë nuk kanë nevojë të marrin leje nga KFOR-i.

Në një intervistë për emisionin “Slobodno srpski” (Lirshëm serbisht), Grasso ka thënë se ky aksion policor ka qenë i ligjshëm kundër kriminelëve dhe se për këto aksione askund në botë policia nuk e njofton publikun, dhe si rrjedhojë, “as ne s’kemi qenë të informuar”.

“Ai operacion ka qenë operacion policor, dhe në asnjë vend Policia nuk e informon publikun për operacione policore, dhe kështu as ne s’kemi qenë të njoftuar për këtë. Dhe asnjëherë s’kemi thënë se kemi qenë të informuar, e as që e kemi informuar dikë për të”, tha Grasso, ndërsa theksoi se deklarata e bërë pas aksionit policor se “të gjithë kanë qenë të njoftuar paraprakisht për aksionin policor në veri të Kosovës”, është keqinterpretuar, transmeton lajmi.net.

“Atë që e kam thënë, e që e ka hapur tërë diskutimin, në një intervistë për ‘TV Prva’ mëngjesin e radhës, pas operacionit, ka qenë ‘të gjithë kanë qenë të informuar’. Kjo është përkthyer dhe interpretuar sikur KFOR-i e ka njoftuar dikë, por ajo që kam thënë unë ka qenë se ‘të gjithë kanë qenë të njoftuar’ në kuptimin se informacioni ka qenë i njohur sepse e kemi lexuar atë lajm dhe saktësisht më 17 ka pasur shumë lajme që kanë lajmëruar këtë lloj operacioni dhe të tjera, dhe për këtë kam thënë se s’ka qenë befasi”, ka thënë Grasso

Ai ka shtuar se aksioni i Policisë së Kosovës ishte i ligjshëm dhe se një aksioni të tillë duhet t’ia kenë frikën vetëm personat që janë të involvuar në krimin e organizuar.

“Natyrisht, njerëzit nuk duhet të reagojnë ose të pengojnë punën e policisë, ata duhet të pajtohen me to dhe të bashkëpunojnë me policinë gjatë kryerjes së operacioneve të tilla, duhet të shmangin ngritjen e tensioneve dhe shkallëzimin e dhunës, pasi kjo mund të jetë e rrezikshme”, deklaroi Grasso, transmeton më tutje lajmi.net.

Mirëpo, pavarësisht këtij operacioni të Policisë së Kosovës dhe polemikave në mes të politikanëve serbë e kosovarë, Vincenzo Grasso, theksoi se, në Kosovë gjendja e sigurisë është stabile dhe nuk ka nevojë për shqetësim se mund të ndodhë ndonjë kërcënim serioz.

“Nuk ka kërcënim të vërtetë fizik ndaj sigurisë, por ekziston retorika dhe propaganda që nganjëherë krijon ankth në mesin e njerëzve, krijon tensione, pa asnjë bazë, dëshmi, është një kërcënim real për stabilitetin. Kjo retorikë vjen nga të dyja palët”, deklaroi Grasso.

Ai në këtë intervistë ka folur edhe për ligjet të cilat i ka miratuar Kuvendi i Kosovës për formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Sipas tij, me formimin e e tri ligjeve që i miratoi Kuvendi i Kosovës dhe përmes së cilave u formua Ministria e Mbrojtjes, thotë se Kosova s’ka fituar ushtri.

“Nuk mjafton që ju të keni një ligj, ta shkruani në letër, kjo është situata, ekziston një plan që do të zbatohet nga institucionet e Kosovës dhe do të duhet dhjetë vjet për ta bërë këtë”, tha ai.

Grasso foli edhe për vrasjen e politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq, duke thënë se KFOR-i është i gatshëm të ndihmojë në hetimin për vrasësit e tij edhe pse siç u shpreh ai, KFOR-i nuk ka qenë i përfshirë në asnjë mënyrë në hetimin e vrasjes së Ivanoviqit.