Kishte ndihmuar në arrestimin e djalit të El Chapos, polici meksikan qëllohet me 155 plumba në parking dhe atë në mes të ditës

08.11.2019 00:34:01

Një polic meksikan që ishte pjesëtar i njësisë elitare dhe që kishte ndihmuar në arrestimin e të birit të Joaquin Guzman i njohur si El Chapo, është vrarë në mënyrën më brutale të mundshme në një parking, ku vetura në të cilën gjendej është qëlluar nga një breshëri plumbash – më saktësisht nga 155 sosh.

Sipas raportimeve të mediave meksikane, polici 30-vjeç i identifikuar vetëm si Eduardo, është vrarë para ndërtesës së një qendre tregtare në Kuliakan.

Ai gjatë muajit të kaluar kishte ndihmuar në kapjen e Ovidio Guzman, djalit të narko-bosit Joaquin Guzman i njohur si El Chapo. Megjithatë Ovidio ishte liruar menjëherë nga autoritet e sigurisë, për shkak të luftës së përgjakshme që ishte zhvilluar mes anëtarëve të kartelit të babait të tij dhe policisë meksikane.

Viktima ishte pjesë e operacionit të nisur nga autoritetet meksikane për ta arrestuar të birin e El Chapos, që u ekstradua në Shtetet e Bashkuara. Ovidio ishte arrestuar gjatë 17 tetorit pas një beteje të përgjakshme mes policisë dhe pjesëtarëve të kartelit Sinaloa në qytetin Kuliakan.

Në videon e filmuar nga kamerat e sigurisë të vendosura në shtyllat elektrike, shihet momenti kur një veturë me ngjyrë të kuqe përcjell atë me ngjyrë të bardhë në një parking, ku nga vetura e kuqe dalin dy persona të armatosur që pa u menduar dy herë shkrepin 155 plumba mbi veturën në të cilën gjendej polici.

Siç raportojnë mediat meksikane, viktima ishte bërë anëtar i policisë nacionale në vitin 2013 dhe për herë të fundit është marrë me sigurimin e nënsekretarit për siguri publike, Carlos Albert Hernandez Leive.