KMDLNJ: Lëreni fjalët e rënda, zbatojeni mandatin e dhënë nga votuesi

08.08.2017 12:46:36

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut (KMDLNj), ka vlerësuar se politikanët si mjet për arritjen e qëllimeve politike, po e përdorin një fjalor skajshmërish fyes, duke mos kursyer as familjet apo familjarët që nuk kanë të bëjnë fare me zhvillimet politike.

KMDLNj u ka kërkuar përfaqësuesve politik, që t’i lënë fjalët e rënda fyese, por zbatojnë mandatin e dhënë nga votuesi. “Fyerjet janë në baza etnike, gjinore por edhe raciste kur dikush sulmohet për faktin se e ka nënën të një përkatësie tjetër etnike. Apo , për shkak të së kaluarës së babait , i biri akuzohet duke u cilësuar si tradhëtar. Edhe në rastin e parë por edhe në të dytin kërkesat janë që fëmijët të distancohen nga prindërit e tyre gjë që nuk është, as normale e as e drejtë. Këto akuza po përdoren dhe keqpërdoren për qëllime politike duke u përdorur si mjet për mundjen e kundërshtarit politik”, thuhet në reagimin e KMDLNj-së.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave e të Lirive të Njeriut, përmes një komunikate për medie thotë sese dy subjektet politike, LV dhe PDK kanë formuar eskadrone për ekzekutim medial dhe linçim publik të kundërshtarëve politikë, pa marrë parasysh faktin se ky eskalim lehtësisht, përmes linçimit verbal mund të çojë drejt një përshkallëzimi të situatës ku nuk do të përjashtoheshin as viktima në njerëz. “KMDLNj thërret të gjitha subjektet politike që t’i ulin armët ( shpifjet dhe gjuhën e urrejtjes ) dhe ta zbatojnë në praktikë mandatin që e kanë fituar nga qytetari , formimin dhe funksionalizimin e institucioneve të Kosovës në të kundërtën të merren vesh dhe të shkojnë në zgjedhje të reja”, thuhet më tutje në komunikatë.

KMDLNj u ka bërë thirrje të gjitha subjekteve politike të marrin pjesë në seancën e ftuar nga Adem Mikullovci dhe të jenë bashkëpunues në ndërtimin e institucioneve për të mirën e qytetarëve të Kosovës në të kundërtën KMDLNj propozon që deputetët e Kuvendit të mos kompensohen materialisht për aq kohë sa Kuvendi të jetë jofunksional.