Kolumbianët refuzojnë paqen me rebelët e FARC-ut

03.10.2016 09:20:06

Rezultatet e referendumit në Kolumbi tregojnë se 50.24 për qind e qytetarëve kanë votuar kundër marrëveshjes historike për paqe me rebelët e FARC-ut.

Marrëveshja është nënshkruar javën e kaluar nga presidenti Juan Manuel Santos dhe lideri i Farc-ut, Timoleon Jimenez, pas gati katër vjetësh negociata.

Por, për të hyrë në fuqi, është dashur të ratifikohet nga kolumbianët.

Duke iu adresuar kombit, presidenti Santos tha se e pranon rezultatin, porse do të vazhdojë të punojë për arritjen e paqes.

Edhe lideri i Farc-ut, i njohur si Timochenko, tha se grupi mbetet i angazhuar për t’i dhënë fund luftës, transmeton Rel.

Rreth 220,000 njerëz, shumica prej tyre civilë, janë vrarë prejse rebelët e frymëzuar nga marksizmi kanë nisur luftën e tyre të armatosur në Kolumbi, më 1964.