Komuna e Zveçanit nuk e përfill urdhëresën e MMPH-së, ndërton 350 banesa për serbët

24.09.2018 09:15:11
Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor e Republikës së Kosovës ka bërë kallëzim penal ndaj Komunës së Zveçanit, respektivisht ndaj Drejtorisë së Urbanizmit dhe drejtoreshës së kësaj Drejtorie, për shkak se nuk kanë zbatuar urdhëresën e MMPH-së për pezullimin e punimeve.

“Lugina e Diellit” është një prej investimeve më të mëdha të Serbisë në Kosovë dhe projekti ka për qëllim kthimin e mbi 1500 serbëve nga Serbia në veri të Mitrovicës.

Rreth 1500 serbë nga Serbia pritet të vijnë dhe të vendosen në vendbanimin “Lugina e Diellit” posa shtëpitë, që kanë filluar të ndërtohen, të përfundojnë dhe kjo nuk do të shkojë shumë larg, pasi projekti do të përfundojë në mesin e vitit 2019.

Serbia, sipas Zyrës Serbe për Kosovën, planifikon t’i investojë në këtë projekt 25 milionë euro, ndonëse drejtori i projektit, Sllobodan Mihajoviq, ka thënë se i gjithë projekti ka koston 14 milionë euro.

Qeveria e Kosovës, respektivisht Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, ka urdhëruar Komunën e Zveçanit dhe Drejtorinë e Urbanizmit të kësaj Komune që t’i ndërprenë punimet, ndërsa MMPH-së t’i dorëzohet dokumentacioni teknik i ndërtimit të vendbanimit, shkruan “Zëri”.

Sipas një njoftimit të Ministrisë së Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor, Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Zveçanit në ditën e inspektimit nuk ka qenë e gatshme të ofrojë dokumentacionin e kërkuar nga Inspektorati i MMPH-së, andaj është urdhëruar që Drejtoria e Urbanizmit e Komunës së Zveçanit të sjellë dokumentacionin e kërkuar në Ministrinë e Mjedisit në afatin e caktuar.