Korrigjimi i kufijve “kontestues” dhe Lugina e Preshevës

16.08.2018 15:53:27

Nga: Nexhmedin Saqipi

Është përsëritur, si shpesh, nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, se me “korrigjim të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë, nuk do të thotë ndarje, por bashkim i Luginës së Preshevës me Kosovën dhe jo autonomi për serbët në Kosovë”.
Ky konstatim i presidentit Thaçi, zgjoi reagimin e menjëhershëm të qarqeve të ndryshme, brenda Kosovës dhe krahut të saj lindor: Luginës së Preshevës, pa harruar as disa zëra kritikë të ndërkombëtarëve, duke e llogaritur atë si të rrezikshëm e me pasoja katastrofale.
Por, për çudi, këto zëra kritikë nuk vijnë edhe nga pala tjetër negociuese e Brukselit, Serbia e Vuçiqit, e lodhur dhe e cfilitur nga këto procese pa fund, të cilat po kalojnë kufijtë e ndërgjegjes njerëzore, për një jetë më të qetë e më stabile në këtë “fuqi” baruti, në zemër të Ballkanit.
Në këtë garë për ta minimizuar, për të mos thënë për ta eleminuar idenë e presidentit Thaçi, për korrigjim kufijsh me rrugë paqësore, nuk po kursehen retorikat e patriotëve me “bateria”, të cilëve edhe sot nga e kaluara u dhemb gjoksi, duke e rrahur në emër të Atdheut, e nga ana tjetër nuk japin rrugë alternative se si duhet zgjidhur ky problem qindvjeçarë.
Po si nuk u kujtuan këta grindavecë politikë, të paktën njëherë të kërkojnë që në këtë “këshillime” të kyçen veç Presidentit Thaçi e Vuçiq edhe presidenti i Shqipërisë Ilir Meta dhe ai i Turqisë Rexhep Taip Erdogan, të cilëve më shumë se të parëve u bie hise të flasin për korrigjim kufijsh, që nga koha kur ata u vunë dhunshëm, për të vazhduar edhe sot me të njëjtin avaz.
A nuk është ajo Turqia e dikurshme, kur hapi dyert për spastrimin e vendbanimeve nga shqiptarët, duke ngritur kufij mbi tokat e tyre e duke marrë si kompenzim nga ish Jugosllavia nga një kalë Banate për kokë të shqiptarëve.
Turqia dhe populli vëlla turk, duhet ta thotë fjalën për korrigjimin e kufijve, të cilat ajo vet dikur i ngriti me përkrahjen e evropianëve, për të mos i harruar ato “megje” e “hudute”, që mbajnë emra shqip e që shkojnë përtej Luginës së Preshevës, deri te Molla e Kuqe, diku afër Nishit.
Po kjo Turqi, me miliona shqiptarë brenda saj, duke llogaritur edhe ata të Luginës së Preshevës, duhet të flas e të veproj, në favore të korrigjimit të kufijve, duke dhënë prova e dëshmi për banorët e zonave kufitare, ta zgjidhin një herë e mirë çështjen e qarkullimit të lirë të njerëzve të një gjaku dhe gjuhe, të ndarë në dysh, pa fajin dhe dëshirën e tyre.
Në këtë drejtim edhe Shqipëria duhet në mënyrë institucionale t’i qaset çështjes së korrigjimit të kufijve, duke reflektuar kulturë politike dhe diplomatike përkrah vëllezërve të tyre në Luginë të Preshevës, të cilët janë në siklet dhe nuk dinë nga t’ia mbajnë nga gjithë këto opsione, që qarkullojnë në tregun vendor dhe ndërkombëtarë.
Edhe diçka për fund, në se propozimi i presidentit Thaçi, për korrigjim të kufijve në mes Kosovës dhe Serbisë, na qenka i rrezikshëm, po aq sa do të jetë fatal edhe ndarja si opsion, pa përjashtuar edhe këmbimin e territoreve, cili do të ishte atëherë propozimi alternativ për ta nxjerrë Luginën e Preshevës nga ngërçi politik dhe kolapsi ekonomik, si dhe për ta kthyer veriun e Kosovës, në binarët normal institucional?!
Si do që të shkoj vija e korrigjimit të kufijve përmes rrugës së Brukselit, me “për” dhe “kundër”, Lugina e Preshevës ka për të qenë një gur i mullirit i varur në qafën e Prishtinës dhe Beogradit, për deri sa nuk gjendet një zgjidhje e qëndrueshme, për çka angazhohet populli i saj i pambrojtur, i përvuajtur dhe i diskriminuar prej shekujsh.
(Autori është themelues i Shoqatës së Gazetarëve “Etika” dhe drejtues i Portalit “Jetapress” )