Korrupsioni moral dhe material i pushtetarëve dhe i zgjedhësve të tyre

28.03.2019 13:46:39

Nga Muhamet Hamiti

Ambasadorët e vendeve mike në Kosovë, nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Zvicra, po e thonë troç se ka korrupsion të madh në Kosovë. Se ky nuk luftohet.
Ambasadori amerikan Kosnett reagoi ndaj zvarritjes njëvjeçare të Presidentit Thaçi për të emëruar një trup kushtetues – Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Emërimi ndodhi sot.
Ambasadori britanik O’ Connell po flet tash e sa kohë qartë – shqip madje – për korrupsionin e pandëshkuar në nivel qeveritar. Tash po tërhiqet ambasada britanike nga procesi i emërimeve të larta mbi bazë të një mermorandumi me Kuvendin e Qeverinë, që këto të dyja po e shkelin me të dyja këmbët, paturpësisht, duke u betuar për sundim të ligjit.
Ambasadori i Zvicrës qortoi dje pushtetarët tanë që u japin pension veteranëve të rrejshëm. Nuk e tha ai, por e di gjithëkush, se veteranët e rremë janë klientela votuese e këtyre pushtetarëve.
Gjithë kësaj kohe, krerët e shtetit të korruptuar flasin me paturpësi se kjo nuk duhet të ndodhë! Krerë të hipokrizisë janë.
Sui generis i kemi pushtetarët që bëjnë faqen e zezë pa u skuqur. Dhe vazhdojnë të marrin votat e popullit që ankohet për këto paudhësi. Por, prapë i zgjedh këta. Edhe zgjedhësit (elektorati) janë sui generis.