Kosovë, rreth 2 mijë qytetarë vdesin çdo vit nga duhani

16.12.2016 13:23:24

Ligji për Duhanin nuk respektohet në Kosovë. Për t’u zbatuar ky ligj duhet një bashkëpunim më i madh i institucioneve përkatëse dhe gjykatave.

Kështu u tha sot në një konferencë që është mbajtur në Prishtinë lidhur me fuqizimin e masave për zbatimin e Ligjit për Kontrollin e Duhanit.

Në konferencën ku mori pjesë edhe kryeministri Isa Mustafa, përfaqësues të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deputetë të Kuvendit të Kosovës si dhe nga komunat u tha se cdo vit 2 mijë qytetarë të Kosovës vdesin si pasojë e konsumimit të duhanit.

Ky numër i të vdekurve nga konsumimi i duhanit sipas shefit të zyrës së OSHB-së në Kosovë Skënder Syla është tregues i qartë se duhet një veprim i shpejtë institucional.

“Numri i madh i vdekjeve të parakohshme, rreth 2 mijë çdo vit në Kosovë, që vjen nga duhanpirja aktive dhe pasive, është dëshmi e qartë për nevojën e veprimit të menjëhershëm dhe të domosdoshëm institucional dhe individual. Duhanpirja është njëra prej fatkeqësive shëndetësore më e madhja në historinë e njerëzimit”, tha Syla.

Sipas tij deri në vitin 2030, numri i të vdekurve nga duhani do të shkojë në 8 milionë njerëz.