KQZ: Gjashtë milionë euro për zgjedhjet në Kosovë, shteti t’i ndajë sa më parë

27.08.2019 13:59:54

Është mbajtur sot mbledhja e rradhës e Komisionit Qëndror Zgjedhor, pas shpalljes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme më 6 tetor.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka thënë se është shqyrtuar buxheti i nevojshëm për këto zgjedhje, shkruan lajmi.net.

Ajo ka thënë se presin që mjetet të alokohen në llogarinë e tyre.

“Ne dje kemi marrë dekretin e Presidentit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen me 6 tetor. Këshilli për Buxhet dhe Financa ka shqyrtuar buxhetin për këto zgjedhje. Ne si KQZ do ta dërgojme kërkesën në institucione dhe presim që buxheti i kërkuar të alokohet në xhirollogarinë tonë. Ne organizojmë zgjedhje kur kemi para, nëse nuk kemi para ne i zhvillojmë procedurat deri ku na mundësohet ligjërisht”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, kryetari i Këshillit për Buxhet dhe Financa, Ilir Gashi ka bërë të ditur se shuma e nevojshme për organizimin e këtyre zgjedhjeve është gjashtë milionë euro.

Ai ka thënë se në këtë shumë hyjnë të gjitha gjërat për të realizuar një proces zgjedhor, përfshirë materialet, furnizimet, trupat zgjedhoret, stafi i përkohshëm etj.

“Duket një rritje e kërkesës së buxhetit për faktin se kësaj radhe është konsideruar e nevojshme edhe rritja e pagesave për trajner, kryesues dhe anëtar të këshillit të vendvotimeve, sepse është menduar të ndiqet edhe trendi i rritjes së pagave që ka ndodhur në Kosovë”, ka thënë ai duke shtuar që kjo çështje duhet trajtuar sa më shpejt”, ka thënë ai.

Po ashtu, Gashi u ka bërë thirrje institucioneve të Kosovës që mos të vonohet me ndarjen e buxhetit, pasi që sipas tij një gjë e tillë do të ishte pengesë për këtë institucion.