KQZ: Shtyhet deri në 2 maj regjistrimi i koalicioneve

18.04.2017 18:16:33

19 prilli ishte data e fundit kur palët të regjistroheshin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve si pjesë e koalicioneve garuese për zgjedhjet e 18 qershorit, por kjo nuk do të ndodhë.

Për shkak të situatës politike dhe ngërçit mes partive, ku opozita prej me shumë se 2 muajsh kërcënon me bojkot të zgjedhjeve, duket se të gjitha afatet e përcaktuara në Kodin zgjedhor do të shkelen, duke treguar edhe njëherë një shkallë të lartë papërgjegjshmërie në respektimin e disa ligjeve si ky kod i cili është miratuar me jo me pak se 84 vota në parlament.

Pas tejkalimit të 10 prillit si data limit kur partitë mund të regjistroheshin për zgjedhje, tashmë digjet dhe 19 prilli si data e regjistrimit të koalicioneve. Mes aktoreve politikë po diskutohet data 2 maj si afati përfundimtar, ku nuk mund te tolerohet me shkelje.

Kjo date vjen sepse brenda 29 prillit çdo parti duhet te paraqesë listën e kandidatëve për deputet por duke qenë se kjo dite qëllon e shtunë dhe 30 prilli e diel, datat do të zëvendësohen duke bërë që 2 maji të jetë afati kur do të mësojmë nëse do të ketë parti, koalicione apo kandidatë që do të marrin pjesë në zgjedhje.