Kryeministri Mustafa, ka pritur sot në takim Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian

04.03.2017 17:43:57

Fjala e kryeministrit Mustafa gjatë konferencës me përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka pritur sot në takim Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian/Nënkryetare e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.

Pas takimit, kryeministri Mustafa dhe znj. Mogherini dhanë nga një deklaratë për media.

Fjala e plotë e kryeministrit Mustafa:

Pata nderin e veçantë që sot të pres në takim Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, që është edhe nënkryetare e Komisionit Evropian, dhe bashkëpunëtorët e saj nga Brukseli.

Biseduam për tema të rëndësishme që e preokupojnë Kosovën, por edhe synimet tona eurointegruese dhe euroatlantike. Shpreha përcaktimin e paluhatshëm të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës për rrugën evropiane dhe eurointegruese, dhe se Kosova e sheh ardhmërinë e saj në familjen e vendeve të Bashkimit Evropian, si anëtare e Bashkimit Evropian.

Po ashtu e informova se, Kosova me përkushtim të lartë po punon në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, në Agjendën e Reformave Evropiane, se prioritet i yni mbetet shteti ligjor, mbetet rritja ekonomike, konkurrueshmëria e tregut, ngritja e cilësisë së shërbimeve sociale dhe arsimit, punësimi dhe tregu i punës.

E njoftova po ashtu se ne e shohim dialogun me vendet fqinje dhe me Serbinë si alternativë të pazëvendësueshme për normalizimin e marrëdhënieve tona dhe për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të hapura, se jemi të gatshëm dhe të përkushtuar që të vazhdojmë dialogun me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve dhe për avancimin e proceseve edhe në Ballkan edhe në Evropë, edhe përkundër kundërshtimeve që i kemi nga opozita dhe disa kundërshtimeve tjera. Por, po ashtu se ne nuk shohim një gatishmëri të njëjtë nga Serbia, kemi pengesa që po bëhen sa i përket ardhjes së deputetëve serb në Parlamentin e Republikës së Kosovës dhe të ministrave në Qeverinë e Republikës së Kosovës, dhe kjo po mban peng disa procese, siç është procesi i fillimit të hartimit të Statutit të Asociacionit të Komunave Serbe, për të cilin ne jemi të gatshëm që në çdo moment të fillojmë ta hartojmë dhe të implementojmë atë Marrëveshje që ne e kemi nënshkruar në Bruksel dhe për të cilin jemi zotuar. Natyrisht, ngjitur edhe me vendimin e Gjykatës Kushtetuese që rregullon kornizat e kësaj marrëveshje. Do të punojmë edhe në implementimin e të gjitha marrëveshjeve tjera, dhe në vazhdim që ne t’i zgjidhim edhe çështjet tjera. Kërkuam edhe përkrahjen e Bashkimit Evropian që këto procese t’i çojmë më shpejt, dhe që të kemi kthimin e serbëve në institucionet e Republikës së Kosovës, përmes ushtrimit të ndikimit që do të bëhej në Bruksel.

Ne po punojmë po ashtu që Kosova të jetë faktor i rëndësishëm i stabilitetit dhe paqes në rajon, po ndërtojmë marrëdhënie të mira me fqinj, po punojmë bashkërisht që të rrisim bashkëpunimin në të gjitha fushat, edhe në bashkëpunimin rinor edhe në bashkëpunimin ekonomik, por gjithsesi mbesim të interesuar që relacionet tona t’i zhvillojmë në kuadër të Bashkimit Evropian.

Kemi zhvilluar po ashtu progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, kriter ky që ka qenë i paraparë edhe si kriter për liberalizimin e vizave së bashku me kriterin e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi. Përkundër progresit që kemi bërë tek lufta kundër korrupsionit, ne do të vazhdojmë edhe më tutje, në mënyrë të vendosur që të luftojmë çdo dukuri të korrupsionit tek ne, por po ashtu kërkuam edhe ndihmën e Përfaqësueses së Lartë, Mogherini dhe të Komisionit Evropian në kapërcimin e gjendjes në të cilën ne e kemi tani me demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, për shkak të kundërshtimeve të cilat i kemi në një pjesë të Parlamentit, përfshirë tërë opozitën por edhe të mungesës së pjesëmarrjes së deputetëve të Listës Serbe në Kuvend, që po shkakton që qytetarët tanë të mbesin peng i këtij kriteri dhe ata s’mund të lëvizin lirshëm, ashtu siç lëvizin qytetarët e tjerë në suaza të Bashkimit Evropian.

E njoftova po ashtu Përfaqësuesen e Lartë, Mogherini edhe për rrjedhat ekonomike të cilat po zhvillohen tani në Kosovë, dhe kemi një rritje konstante ekonomike prej 4 për qind gjatë këtyre dy viteve, se kemi progres sa i përket efekteve që i jep Marrëveshja për Stabilizim Asociim, veçmas në pjesëmarrjen e bizneseve tona në tregun e Bashkimit Evropian, por po ashtu se kemi përmirësuar ambientin e të bërit biznes në Kosovë, por kemi nevojë që ta rrisim edhe më tutje pjesëmarrjen e investimeve të huaja direkte. Jemi veçmas të interesuar që këto investime të vijnë nga vendet e Bashkimit Evropian, gjë që e përcakton edhe rrugën tonë proevropiane që ndërlidhet edhe me proceset e zhvillimit ekonomik.

Unë ju falënderoj shumë znj. Mogherini për ardhjen tuaj dhe ne shohim gjithmonë interes dhe respekt në takimet me ju, sepse temat të cilat i bisedojmë së bashku me ju, i ndiejmë si tema të përbashkëta.