Kujt po i pengojnë takimet e kryeministrit Mustafa me rugovas dhe me të tjerë?

16.09.2016 12:08:10

Kryeministri Mustafa, pas tërheqjes së projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, ka intensifikuar takimet me institucione të ndryshme dhe me banorë të zonave kufitare. Edhe pse këto takime janë mëse të zakonshme për një kryeministër vendi, megjithatë kanë shkaktuar jo pak reagime sidomos nga ata që janë përfshirë në aksione të ndryshme kundërshtetërore. Në vend se të përgëzohet vullneti i çeliktë i kryeministrit Mustafa që ta mbajë dorën të shtrirë për të gjithë, që të mbajë vazhdimisht të hapur ftesën e tij për dialog për të gjitha çështjet e ndjeshme për vendin, dhe së fundi edhe për të realizuar takime me të gjitha institucionet që sado-kudo mund të hedhin dritë në çështjen e demarkacionit dhe me banorë të zonave kufitare, ai sulmohet dhe kritikohet pa asnjë argument. Duket se hiçët, që mohojnë edhe konkluzionet e punimeve të tyre shkencore, që mohojnë edhe konkluzionet e gradave të tyre shkencore, vetëm për një afirmim populist, kanë frikë se mos po u rrënohet ky farë iluzioni prej të mëdhenjve dhe po mbeten me vogëlsinë e tyre. Në anën tjetër, të tjerë duken se kanë frikë mos po ua shprishin bastionet e mashtrimit dhe të manipulimit të qytetarëve, prandaj edhe po e kritikojnë kryeministrin për takimet që po zhvillon. Këta në vend se ta ndiejnë veten të turpëruar pse me sjelljet e tyre, me veprimet dhe me angazhimet e tyre kundërshtetërore, kanë faktorizuar tepër shumë përfaqësuesit politikë të serbëve sa të kushtëzojnë dhe pengojnë proceset edhe kur këtë nuk ua mundëson kushtetuta, menjëherë pas tërheqjes  nga kryeministri Mustafa të projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, shpallën fitore. Por, nëse bëhet fjalë për fitore, atëherë fitues ishte Beogradi, sepse falë veprimeve të papërgjegjshme të subjekteve politike shqiptare, arritën që ta bllokojnë një nga proceset më të rëndësishme të Kosovës në procesin e shtetndërtimit. Visar Ymeri, i pari, e pastaj edhe Ramushi me triumfalizëm iu gëzuan urdhërit të Beogradit që kuvendarët serbë në Kuvendin e Kosovës të mos marrin pjesë në seancën plenare të 1 shtatorit. Dhe askujt nuk i pengoi ky triumfalizëm i sektës okulte të Albinit dhe i AAK-së së Ramushit, që erdhi nga Beogradi dhe për interes të Beogradit, por po i pengojnë takimet e kryeministrit Mustafa. Askujt nuk i penguan takimet e Ramushit me banorë të brezit kufitar për të vazhduar manipulimin dhe për t’u thënë atyre: fituam, ani që ishte fitore e Beogradit e jo e Kosovës dhe e shqiptarëve, por po u pengojnë takimet e kryeministrit, i cili edhe ashtu takimet në nivele dhe me palë të ndryshme i ka pasur të vazhdueshme. Në fakt, kryeministri Mustafa meriton mbështetje të plotë, sepse po bën gjithçka që ta rikthejë fitoren te Kosova dhe të vëjë fuqinë politike të serbëve në nivelin real. Kryeministri Mustafa po bën gjithçka, ashtu siç ka bërë gjithçka për një konsensus sa më të gjerë që çështjet të zgjidhen pa ua dhënë mundësinë të tjerëve të bllokojnë proceset. Asnjë kusht nuk do t’u pranohet serbëve, ka thënë kryeministri Mustafa. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm një burrështetas si kryeministri Mustafa. Asnjë vend të rezervuar për komunitetet etnike, ka pas thënë kryeministri Mustafa. Po vendeve të rezervuara, ka pas thënë Ramush Haradinaj. Dhe po-ja e tij do të ishte për gjithçka, vetëm ai të ishte kryeministër.