Kupa, Tirana denoncon dhunën e policisë në Shkodër

13.12.2017 23:32:45

Ishte parashikuar si një përballje e nexhtë, jo vetëm për historikun plot përplasje mes dy tifozerive, të përhapur edhe në sportin e basketbollit, por gjithashtu edhe për faktin se ishte pikërisht në Shkodër, kur bardheblutë regjistruan për të parën herë rënien nga kategoria elitare e futbollit.

Por supersfida e sotme mes Vllaznisë dhe Tiranës, vendimtare për ecurinë në Kupën e Shqipërisë, degjeneroi në dhunë fizike.

Të paktën kështu ka denoncuar klubi kryeqytetas, i cili raporton se në përfundim të ndeshjes, së mbyllur me fitoren miniamle të shkodranëve me rezultatin 1-0, por që kualifikoi për në çerekfinalen e Kupës së Shqipërisë skuadrën bardheblu, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë së Shkodrës kanë dhunuar fizikisht dhe verbalisht futbollistët e Tiranës.

“KF Tirana dënon publikisht dhunën fizike dhe verbale të ushtruar nga Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë në Shkodër. Në përfundim të ndeshjes Vllaznia-Tirana, në ambientet e brendshme të stadiumit “Loro Boriçi”, policia ka përdorur shkopinj gome kundër lojtarëve të Tiranës. Jo vetëm dhunë fizike, por dhe dhunë verbale për një situatë të dalë nga konteksti sportiv prej tensionit artificial që policia krijoi. Debatet mes lojtarëve të dy skuadrave në përfundim të ndeshjes, brenda kufinjve sportiv, kanë sjellë më pas sjelljen e turpshme të policisë të cilën KF Tirana e denoncon publikisht”, denoncon Tirana