Lefterie Luzi dërgohet për ndjekje penale në prokurori

12.08.2016 16:06:38

Kur ka mbetur më pak se një vit nga zgjedhjet e ardhshme parlamentare, Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dërgohet për ndjekje penale nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.  Lefterije Luzi akuzohet për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera.

Bëhet fjalë për projektin pilot të votimit dhe numërimit elektronik zgjedhjet e vitit 2013, i cili u tentua të zbatohej në dy qarqe të vendit, përkatësisht në Tiranë dhe Fier. Projekti dështoi në të dy rastet, por sipas KLSH, pavarësisht kësaj KQZ, i pagoi kompanisë kontraktore që u shpall fituese në tender 2.5 milionë euro.  Sipas dokumentave të audituara nga Kontrolli i Shtetit, rezulton se KQZ i ka paguar kompanisë private INDRA, respektivisht 60 përqind të vlerës së kontratës për Fierin dhe 70 përqind të asaj të Tiranës për një total prej 351 milionë e 171 mijë lekë.

KLSH vlerëson se të dyja kontratat janë nënshkruar duke cënuar interesin publik dhe madje pa marrë parasysh rekomandimet e Avokatit të Shtetit. Sipas institucionit më të lartë auditues, Avokati i Shtetit i ka rekomanduar kryetares së KQZ ndryshimin e 6 neneve të projekt-kontratës me kompaninë INDRA dhe shfuqizimin e 4 neneve të tjera, por KQZ nuk ka marrë parasysh asnjë nga këto rekomandime duke e firmosur kontratën sipas variantit fillestar.

Ky nuk është kallëzimi i parë ndaj zonjës Luzi për këtë cështje. Në vitin 2013, Partia socialiste po ashtu e kallëzoi kreun e KQZ për abuzime me procesin e dështuar të votimit elektronik. Por në atë kohë, pasi hetoi prokuria e mbylli çështjen. Por KLSH thotë se ajo ka zbuluar të tjera fakte të reja, që sipas saj përbëjnë abuzime, ndaj ka kërkuar rihapjen e çështjes duke bërë kallëzim penal ndaj kreut të KQZ.