Lekaj: Të krijohet një komision miks dhe të rinisë negocimi me Malin e Zi

19.07.2016 00:56:15

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Pal Lekaj ka treguar në emisionin “Kontakt” në Tribuna Channel, se partia e tij do të kërkojë në tryezën e demarkacionit me 3 gusht që komisioni aktual i qeverisë për përcaktimin e kufirit me Malin e Zi të shkarkohet menjëherë dhe të formohet një komision miks i cili do të bisedonte me malazezët.

“Komisioni aktual e ka për obligim që të marr pjesë në debatin e 3 gushtit, sepse këtë e ka ftuar Kryesia e Kuvendit. Në tryezë duhet të thirren ekspertët më të njohur të vendit dhe ata që kanë argumente të bollshme që ta bindin komisionin se ka gabuar”, ka thënë Lekaj, duke shtuar se ky debat do ta ketë rolin vendimtar për hapat e mëtutjeshëm të qeverisë, parlamentit dhe në përgjithësi të Kosovës.

“Kërkesa e AAK-së do të jetë se komisioni aktual të shkarkohet, të krijohet një komision miks dhe të rifillohet rinegocimi me Malin e Zi, që ky shtet ta trajtojë me vëmendje këtë çështje dhe ta ndryshojë marrëveshjen e ratifikuar, pastaj të hapet rruga në kuvendin tonë”, ka thënë deputeti i AAK-së.

Komisioni i ri, sipas Lekajt, e ka për obligim që ta bind Malin e Zi se komisioni shtetëror i Kosovës ka gabuar dhe nuk ka qenë në vijën e qytetarëve për ta mbrojtur pronën e tyre dhe ne besojmë që Mali i Zi nuk është i interesuar që të ketë ndonjë konflikt të ardhshëm.

Ai mendon se pas kësaj tryeze çdo deputetë i papërcaktuar deri me tani pro ose kundër marrëveshjes së demarkacionit, do të bindet se ky komision ka gabuar dhe ata pastaj do ta thirrin mendjen e arsyes duke u bazuar në argumente dhe shkencë dhe të mendojnë pozitivisht duke mos e ratifikuar marrëveshjen e cila sjell pasoja për vendin.

Lekaj thotë se koalicioni i elefantëve nuk i ka votat dhe kjo është arsyeja pse nuk është proceduar marrëveshja ende në Kuvend.