Liderët e Luginës së Preshevës në Kongresin Amerikan

12.05.2019 16:23:57

Nga Sevdail Hyseni

Shërbimet informative të Partisë për Veprim Demokratik dhe Partisë Demokratike Shqiptare nga Lugina e Preshevës, kanë bërë të ditur se shefat e tyre politikë, së shpejti do të marrin rrugë për një vizitë zyrtare në Amerikë.

Përfaqësuesit e lartë politikë e institucional nga Lugina e Preshevës, Kryetari i PVD-së, Shaip Kamberi, nënkryetarja e PVD-së, Ardita Sinani dhe kryetari i PDSH-së, Ragmi Mustafa, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të zhvillojnë takime të rëndësishme me përfaqësues të Departamentit të Shtetit, Shtëpisë së Bardhë dhe Këshillit Kombëtarë të Sigurisë.

Vizita në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe realizimi i takimeve të shumta me personalitete dhe përfaqësues të ndryshëm të SHBA-së do të jetë mundësi e mirë e diskutimit për Luginën e Preshevës, situatën politike dhe ngecjen e realizimit të plotë të të drejtave të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, thuhet, mes tjerash, në Shërbimet informative të këtyre subjekteve politike nga Lugina e Preshevës.

Ndërkaq, SHBA-ja, është dhe do të mbetet faktori kryesor i ruajtjes, kultivimit dhe avancimit të paqes në botë në përgjithësi e në Ballkanin Perëndimor në veçanti, njoftojnë përfaqësuesit legjitimë të Luginës së Preshevës, Shaip Kamberi, kryetar komune në Bujanoc dhe ish deputet popullor në Parlamentin e Serbisë, pastaj Ardita Sinani, ish kryetare e Komunës së Preshevës dhe Ragmi Mustafa, po ashtu ish kryetar komune në Preshevës, që do të marrin pjesë në takimet me kongresmenët amerikanë.