Lulzim Basha: Gjendja është e rëndë, PD merr përgjegjësinë për zbatimin e vetingut dhe dekriminalizimin

14.12.2016 14:46:54

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama për gjendjen në të cilën ndodhet vendi dhe për bllokimin e hapjes së negociatave për integrimin në Bashkimin Europian.

Duke folur për mediat pas mbledhjes së grupit parlamentar, Basha theksoi se Qeveria nuk merr përsipër që të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Kreu i demokratëve deklaroi se Partia Demokratike do të marrë përgjegjësinë që të nisë zbatimi i ligjit të vetingut sipas Kushtetutës dhe zbatimin e ligjit të Dekriminalizimit për largimin nga politika të zyrtarëve të inkriminuar.

“Komentet e BE nuk lënë hapësira për ekuivok. Gjendja në vend është e rëndë, nuk pranohen justifikime. Qeveria nuk merr pësipër zgjedhje të lira dhe të ndershme. Unë dhe PD merr përsipër të zbatojë ligjin e vetingut sipas detyrimeve kushtetuese dhe dekriminalizimin”, tha kreu i PD Lulzim Basha.