Maliqi: Autoritetet serbe nuk dhanë ndonjë arsyetim për ndalesën në kufi

19.06.2018 22:26:24

Publicisti dhe kritiku i artit Shkëlzen Maliqi, ka folur për ndalesat që i janë bërë atij në kufi nga autoritetet serbe.

Ai në emisionin “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se veprimet e policisë serbe ndaj tij i kujtuan vitet e 80-ta.

“Nuk ka ndodhë deri tash ndonjë ndalesë, nuk shkoj shpesh në Serbi, në tetor isha për herë të fundit. Procedura ishte e zakonshme, por erdhi polici si në vitet e 80-ta, dhe tha kush është ky Shkelzen Maliqi, eja këtu dhe më tha që ti nuk mundesh me kalua në Serbi”, ka thënë Maliqi.

Maliqi ka thënë se ai i kishte të gjitha dokumentet në rregull, por ata e ndalën pa ndonjë arsyetim.

“Nuk më dhanë kurrë fare arsyetimi. Më tha që nuk ke ndonjë ndalesë, dokumentet i kisha në rregull, po thjesht më thanë nuk mundesh me kalu”, ka deklaruar Shkelzen Maliqi.

Publicisti ka shprehur edhe dyshimet e tij se cilët faktorë kanë mundur të ndikojnë në ndalesën e tij.

“Ndalesa ima ka të bëjë se atje ka tri Serbia. Njëra është pro ruse, tjetra e Vuçiqit e cila pretendon se është evropiane dhe e fundit është ajo e njerëzve si Çedomir Jovanoviçit, që mund të jenë edhe shokët tanë”, është shprehur më tej Maliqi.