MAQEDONIA, PA POPULLIN SHQIPTAR SHTETFORMUES, JO PAKICË KOMBËTARE, DO TË KONTESTOHET DHE RREZIKOHET EDHE MË TEJ NGA SHTETET FQINJE TË SAJ

17.12.2017 01:25:06

Nga: Abdulla Mehmeti

Përderisa populli shqiptar në Maqedoni do të trajtohet si pakicë kombëtare, ndërkohë që është i vetmi popull autokton në territorin e këtij shteti, i cili jeton në vazhdimi historike në trojet e veta etnike, që nga parahistorie e deri më sot, dhe që aktualisht përbën shumicë të konsiderueshme, përherë do të ketë probleme me shtetet tjera fqinje, Serbinë, Bullgarinë dhe Greqinë, të cilat ia kontestojnë emrin kushtetues të shtetit, kombin, identitetin, gjuhën, historinë, kulturën dhe kishën autoqefale ortodokse.

Vetëm populli shqiptar autokton në Maqedoni ka një mal argumentesh shkencore të pakundërshtueshme, të pranueshme edhe nga shkenca botërore, për mbrojtjen e këtij shteti nga politikat hegjemoniste, mohuese dhe kontestuese të shteteve fqinje të Maqedonisë së sotme.

Një shtet i krijuar artificialisht, me vendim politik të KOMINTERNIT, më 1944, nuk ka kredibiltet të përballet me argumentet e këtyre shteteve fqinje, pjesë e të cilave ka qenë në periudha në ndryshme historike dhe që ka një të kaluar të gërshetuar me ato, që nga dyndja e sllavëve në Gadishullin Ilirik e deri më sot.

(17.12.2017)