Milani jashtë Kupës, këtë herë triumfon Juventusi

25.01.2017 23:45:35

Juventus fitoi derbin me Milanin në Kupë dhe siguroi një vend në gjysmëfinale përballë Napolit pas suksesit të parë sezonal ndaj kuqezinjve 2-1. Në “Juventus Stadium” bardhezinjtë  në ndryshim nga sfidat e mëparshme me Milanin të këtij sezoni, mbyllën ndeshjen atëherë kur duhet për të menaxhuar më pas lojën dhe rezultatin.

Vetëm 10 minuta zgjati barazpesha pasi një harkim fantastik i Cuadrado-s u finalizua në rrjetë nga Paulo Dybala, duke i dhënë avantazhin vendasve. Formacioni torinez nuk u ndal me kaq pasi pa kaluar ende gjysmë ore lojë, Miralem Pjanic transformoi në gol shansin e tij nga një goditje me top të ndalur.

Në fraksionin e dytë, kolumbiani Carlos Bacca ngushtoi diferencën duke rihapur sfidën. Por prapavija e Juventus dhe portieri Neto, ruajtën me fanatizëm fitoren që i çon në gjysmëfinalet e Kupës së Italisë.