Mimoza Ahmetaj, ministre e Integrimit Evropian?

14.09.2016 16:52:14

Pas Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, edhe Ministria e Integrimit Evropian ka mbetur pa ministër.

Bekim Çollaku ka dhënë dorëheqje të premten nga pozita e ministrit, për të shkuar te presidenti Hashim Thaçi, si këshilltar i tij. Partnerët e koalicionit, PDK e LDK, ende nuk kanë diskutuar për zëvendësimin e tij. Radio Kosova merr vesh se në krye të kësaj ministrie pritet të jetë një femër.

Që nga formimi i saj, Qeveria e Kosovës është kritikuar për faktin që ka shumë pak femra ministre. Për ta përmirësuar këtë imazh, në krye të Ministrisë së Integrimit Evropian, pritet të vijë një femër.

 

Burime të Radio Kosovës brenda Partisë Demokratike të Kosovës, bëjnë të ditur se emri që më së shumti po përfolët për ta zëvendësuar Bekim Çollakun, është Mimoza Ahmetaj. Ish ambasadorja e Kosovës në Bruksel, brenda strukturave të PDK-së e ka në konkurrencë për këtë post edhe nënkryetarin Uran Ismailin dhe zëvendësministrin e Zhvillimit Ekonomik, Gani Kocin.