Ministri Hoti: Pa reformë për pensionet e veteranëve, nuk do të kemi program me FMN-në

30.09.2016 17:56:05

Ministri i Financave Avdullah Hoti pranon se përkundër progresit që kanë bërë në të gjitha fushat, kanë një çështje akoma të pazgjidhur, që ka të bëjë me Reformën për Skemën e Pensioneve për Veteranët e Luftës.

Ai pranon se kanë ndarë 38 milionë euro për këtë çështje por që nuk mjaftojnë as për së afërmi dhe sipas tij, këtu nuk kanë mos-pajtime me FMN-në.

“Ne me draft Buxhetin për vitin 2017 jemi pajtuar që të alokojmë një shume prej rreth 38 milion EUR, dhe këtu nuk kemi mos-pajtim me FMN. Por kjo shumë nuk do të mjaftoj as për së afërmi, nëse nuk reformojmë këtë skemë. Në këtë kontekst, ne po presim që në ditët e ardhshme, të kemi diskutime të nivelit më të lart për këtë çështje dhe të vendosim se në çfarë drejtimi duam të shkojmë”, tha Hoti.

Ministri i Financave Avdullah Hoti me këtë rast, gjithashtu bëri të ditur se së bashku me ekipin nga Ministria e Financave javën e ardhshme do të qëndrojnë në Washington për Takime Vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, ku do të vazhdojmë me diskutimet për të arritur një marrëveshje.

“Më lejoni të përsëris se pa një reformë të mirëfilltë të skemës së Veteranëve, nuk do të kemi program me FMN, dhe ditët po afrohen kur duhet të vendosim”, theksoi ministri Hoti.