Mosratifikimi i Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, mund të hapë rrugën për skenarë serbo-rusë kundër shqiptarëve

27.08.2016 12:13:12

Nga Rexhep Kastrati

Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, e nënshkruar një vit më parë, është marrëveshje që është bërë pas një pune disavjeçare ndrëmjet komisioneve përkatëse të dy shteteve. Si marrëveshje ndërshtetërore, është marrëveshje që e forcon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, pasi që shton edhe një element të shtetësisë së Kosovës, këtë kufi e bën kufi shtetëror ndërmjet Kosovës e Malit të Zi, e jo ndërmjet Serbisë dhe Malit të zi. Të kujtojmë se me Maqedoninë, Kosova ka ratifikuar kufijtë në bazë të Marrëveshjes ndërmjet të ashtuquajturës RFJ dhe Maqedonisë të vitit 2001, me ç’rast ka humbur 2000 – 3000 hektarë territor, kurse Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi është Marrëveshje ndërshtetërore ndërmjet dy shteteve të pavarura, këtë herë jo më ndërmjet Beogradit dhe Podgoricës, por ndërmjet Prishtinës dhe Podogoricës që është një ndryshim substancial edhe në aspektin politik, edhe atë të së drejtës në përgjithësi, por edhe të së drejtës ndërkombëtare.  Kontestimi i kësaj marrëveshjeje nga partitë opozitare, secila për hesap të vet, e jo për hesap të popullit, pasi që secila ka qëllime të ndryshme që nga lufta për pushtet (AAK dhe Nisma) e deri te rrëzimi i shtetit (sekta okulte e Albinit), duke dëshmuar kështu se për interesa personale dhe të interesave që mbrojnë, janë në gjendje që të keqpërdorin edhe çështje të tilla kaq të ndjeshme. Mirëpo nuk janë vetëm këto arsyet se përse duhet të ratifikohet kjo Marrëveshje, por këto janë vetëm hyrje në arsyet e forta që bëjnë të qartë, madje të nevojshme që kjo Marrëveshje të ratifikohet.

  1. Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi është e një rëndësie të veçantë shtetërore, kombëtare dhe ndërkombëtare, pasi që e Kosovën e vë në baza të qarta institucionale, territoriale dhe partenriteti rajonal e ndërkombëtar. Kjo Marrëveshje, përveçse e përkufizon territorialisht Kosovën me Malin e Zi, diplomatikisht dhe në pikëpamje strategjike e konsolidon si shtet dhe si entitet i veçantë edhe në të drejtën dhe realcionet ndërkombëtare, sidomos në kushtet e rikthimit të polariteteve gjeopolitike e gjeostrategjike, të çështjes së refugjatëve dhe të terrorizmit ndërkombëtar.
  2. Marrëveshja për demarkacion me Malin e Zi, duhet të ratifikohet pasi që edhe pse ka fakte të shumta për rregullshmërinë e përcaktimit të vijës kufitare, megjithatë, me nenin dy të projketligjit për ratifikimin e saj është lënë e hapur mundësia që të rishikohet nëse do të ketë fakte të reja ligjore, pra merr parasysh shqetësimet e ngritura nga palë të ndryshme;
  3. Marrëveshja për demarkacion me Mali e Zi pamundëson skenarë serbë dhe rusë për prishje të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi drejt një konflikti të mëtuar edhe nga sekta okulte e Albin Kurtit, e që do të ishte konfliktualitet me një shtet fqinj anëtar i NATO-s, në kushtet kur Kosova nuk ka ushtri të veten dhe janë po formacionet e NATO-s që garantojnë sigurinë e saj.
  4. Përpjekja e Serbisë dhe e Rusisë për të destabilizuar marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është përpjekje për të destabilizuar rajonin si mundësi për të imponuar zgjidhje të tjera, përkatësisht ndryshim kufijsh në rajon.
  5. Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi ka mbështetjen e plotë të SHBA-ve, dhe angazhimet për të mos e ratifikuar këtë, janë angazhime kundëramerikane dhe dëmtim i madh i marrëdhënieve strategjike me këtë shtet të fuqishëm aleat. Kjo do të thotë se ata që janë kundër ratifikimit të Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi udhëhiqen, ose manipulohen për qëllime proruse, pra edhe proserbe.
  6. Ratifikimi i Marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi është një nga kushtet kryesore të BE-së për liberalizimin e vizave, dhe është kusht që sipas Semjuel Zhbogarit, Kosovës i është vënë kush qysh në vitin 2012. Mosratfikimi i kësaj Marrëveshjeje jo vetëm që do të shtynte liberalizimin e vizave, por do të vinte në dyshim gjithë partneritetin e Kosovës me BE-në dhe gjithë proceset e tjera me të.
  7. Mosratifikimi i Marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, do të kishte pasoja të rënda edhe për pozitën e Kosovës në negociatat në Bruksel, pasi që do të identifikohej si shtet që nuk zbaton marrëveshjet, duke i dhënë kështu argumente Serbisë për akuza të tilla. Dihet se Serbia vazhdimisht e ka akuzuar Kosovën se nuk zbaton marrëveshjet, duke shmangur kështu përgjegjësinë e saj në këtë drejtim. Edhe pse në fakt është Serbia ajo që nuk zbaton marrëveshjet, pasi që siç ka thënë edhe presdenti serb, Nikoliq, zbatimi i Kapitullit 35, e që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pra zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, do të shkaktonte luftë civile në Serbi.
  8. Edhe kërcënimet me destabilizim të vendit, nuk janë kërcënime nga forca që kanë për bazë interesat strategjike të Kosovës dhe të shqiptarëve, por që kanë për bazë interesa kundërshqiptare, sepse destabilizimi i Kosovës dhe i rajonit është vetëm në interes të Serbisë, të Rusisë dhe të aleatëve të tyre. Dhe është në interes të tyre, sepse destabilizimi i Kosovës do ta lironte Serbinë nga detyrimi për Kapitullin 35 dhe për zbatim marrëveshjesh, si dhe do të hapte rrugën për ndryshim kufijsh në rajon.
  9. Interesi i Serbisë për të mos u ratifikuar Marrëveshja e demarkacionit me Malin e Zi është tepër i madh, sepse ajo është kundër çdo marrëveshjeje që Kosova realizon dhe që forcojnë shtetësinë dhe subjektivitetin e saj ndërkombëtar, ashtu siç është edhe kundër anëtarlsimeve në organizata të tilla si UNESCO etj.
  10. Serbia ka edhe një arsye tjetër madhore që të nxisë rekrutët e saj dhe forcat e ndryshme politike në Kosovë që të mos e ratifikojnë Marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, qoftë vetë drejtpërdrejt, qoftë edhe nëpërmjet francezëve apo ndonjë shteti tjetër aleat. Kjo arsye është trysnia e madhe që po i bëhet nga bashkësia ndërkombëtare për të ndikuar të kryetari i Republika Srpskës, Milorad Dodik që ta anulojë referndumin e paralajmëruar për 25 shtator. Ky referendum është caktuar për të marrë deklarimin e serbëve për 9 majin si ditë të Republikës, e që nga bashkësia ndërkombëtare është vlerësuar si referndum që prish marrëdhënet ndërmjet entiteteve etnike dhe politike në Bosnjë, dhe që bie ndesh me Marrëveshjen e Dejtonit të vitit 1995 me të cilën i është dhunë fund luftës disavjeçare atje.