Mustafa kërkon që demarkacioni si kusht për vizat të rivlerësohet

28.10.2016 15:15:22

 

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian.

Para të pranishmëve, përfaqësues të institucioneve shtetërore, ambasadorë dhe zyrtarë të Bashkimit Evropian, kryeministri Mustafa tha se fryma integruese evropiane është përkushtim i plotë i institucioneve të Kosovës dhe përkrahet nga pjesa dërrmuese e qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Sipas një komunikate të Qeverisë, kryeministri Mustafa, po ashtu vlerësoi se arritja e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit përveç aspektit politik dhe peshës në marrëdhëniet kontraktuale ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian përmban edhe një dimension të fuqishëm ekonomik sepse Kosovës i hap një perspektivë të veçantë në tregun e Bashkimit Evropian.

“Marrëveshja për Stabilizim Asociim do të jetë më kuptimplote kur liberalizohen vizat dhe kur qytetarët tanë dhe bizneset tona mund të jenë të barabarta në lëvizjen e tregut të Bashkimit Evropian ashtu siç e bëjnë edhe tjerët”, tha kryeministri Mustafa, transmeton lajmi.net.

Sa i përket liberalizmit të vizave, Mustafa ka thënë se për Kosovën është dashur që të vlejnë edhe kriteret ashtu siç i kanë pasur edhe shtetet tjera.

Ai ka thënë se vënia si kusht e demarkacionit për vizat ka krijuar një situatë e që që opozita e ka shfrytëzuar këtë për të bllokuar procesin e liberalizimit dhe për të krijuar kauzë politike.

Mustafa ka thënë se ky kriter duhet të rivlerësohet.

“Me kriterin e shënimit të vijës kufitare kemi ardhur në një situatë që opozita e ka shfrytëzuar këtë për të bllokuar procesin e liberalizimit dhe për të krijuar kauzë politike nga ky kriter, andaj konsiderojmë që ky kriter duhet të rivlerësohet dhe duhet të hapet mundësia që ne të trajtohemi njëjtë ashtu siç trajtohen vendet tjera”, ka shtuar ndër tjera Mustafa.