Në Han të Elezit, në një shtëpi, tri parti  

12.10.2017 12:33:44

Zgjedhjet Lokale në Kosovë do të mbahen më 22 tetor, derisa gara pritet të jetë shumë interesante.

Por, një rast i veçantë është gara për Komunën e Hanit të Elezit, ku tri gra nga një familje, kanë vendosur të konkurrojnë si asambleiste dhe të gjitha për parti të ndryshme.

Hanumshahe Dibrani do të konkurrojë nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fatjona Kyçyku nga Lëvizja Vetëvendosje, si dhe Nehale Vila nga Partia Demokratike e Kosovës. Të tria shpresojnë se do të fitojnë të drejtën për t’u zgjedhur si asambleiste, derisa ky ‘rivalitet’ i tyre është mjaft i veçantë, pasi janë nga një familje.

Por, kur fushata zgjedhore po shkon drejt fundit, sigurisht se edhe ato me tërë potencialin do të mundohen të bindin votuesit për të marrë votën e tyre.

Hanumshahe Dibrani nga Hali i Elezit është kandidate nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Ajo ka përfunduar Shkollën e Mesme, e martuar dhe nënë e tre fëmijëve. Hanumshahja është një grua e përkushtuar, e ndershme dhe gjithmonë e motivuar për të punuar. Ajo ka lindur më 1976.

Hanumshahe Dibrani është halla e Fatjonës dhe teze e Nehales. Ajo shpreson që të zgjidhet asambleiste në Komunën e Hanit të Elezit dhe të bëjë ndryshime pozitive. Hanumshahja është e bindur se nëse zgjidhet do të punojë në të mirën e qytetarëve të kësaj ane.