Nënkryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura takoi tre vogëlushët e Skenderajt...

Nënkryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura takoi tre vogëlushët e Skenderajt të lindur me 17 shkurt të vitit 2008.

16.02.2017 17:42:49

Në kuadër të shënimit të 9-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, Nënkryetari i Komunës së Skenderajt Fadil Nura sot ka takuar tre vogëlushët e Skenderajt të lindur me 17 shkurt të vitit 2008. Pavarësia, Pavarësimi dhe Fatlumi kanë qenë mysafirë special të Nura.

Në pritjen e organizuar më këtë rast Nura i ka uruar të tre fëmijët me rastin e ditëlindjes së tyre dhe të shtetit të Kosovës, duke shprehur bindjen e tij se ata dhe bashkëmoshatarët e tyre janë e ardhmja e vendit tonë.

Pavarësia, Pavarësimi dhe Fatlumi u shprehën shumë të gëzuar për pritjen që u është bërë sot nga nënkryetari Nura, duke përmendura edhe emocionet e tyre që ndjenë sa herë që festohet Dita e Pavarësisë së Kosovës, që njëkohësisht është edhe ditëlindja e tyre. Fëmijët e pavarësisë më këtë rast kanë recituar edhe vjersha të përgatitura enkas për këtë ditë.

Prindërit e fëmijëve Seferi, Faruku dhe Muja u shprehen shumë të kënaqur për organizimin dhe pritjen duke falënderuar përzemërsisht Nura për iniciativën dhe idenë e organizimit të këtij takim me fëmijët e tyre.

Në fund të takimit Nënkryetari Nura të tre fëmijëve u dhuroi  dhurata me simbole të Republikës së Kosovës.

Pavarësi Spahiu, Pavarësim Xhinovci dhe Fatlum Musliu janë fëmijë të Skenderajt që janë lindur pikërisht më 17 shkurt të vitit 2008, në ditën e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.