Nëpër rrathë zjarri / Vargje nga Dije Lohaj

24.07.2019 09:41:44

 

NËPËR RRATHË ZJARRI

Po zgjohen nga gjumi ëndrrat gri, 
Po zgjohen nga ëndrra apo po faniten thellë,
Po faniten mes bebëzave tona,
Apo dikush po gjurmon errësirën në sy Ezopi,
Apo Homeri ka shaluar prapë Kalin e drunjtë.

Atje më tutje janë zjarret,
E purpurta të dheut tim,
Janë valët të çmendura, valët e zeza
Dhe zjarri që të djeg syrin nga loti,
Po ikin a po kthehen?!

Po, atje janë ëndrrat e mia,
Janë varret, altarët e njomë dhe muranat,
Të trishtat vaje aty janë,
Janë trimat, më të çmendurit,
Më të bukurit dhe më të dashurit në botë,
Që luten me gjakun tim.

Po zgjohen nga gjumi ëndrrat gri,
Apo po vdesin me sytë tanë,
Po vdesin me shpirtin tim,
Të tretur nëpër botë.