NESËR, NË FSHATIN E BUKUR ALPIN CURRAJ I EPËRM, KA FESTË HISTORIKE, PËR HAPJEN E RRUGËS SË RE…

13.10.2018 13:29:41

Të nderuar  e të dashur pjesëmarrës, në festën madhështore të rrugës së re të makinës, për në fshatin e bukur mes Alpeve tona krenare, Curraj i Epërm!

Në pamundësi ardhjeje, ju përshëndes përzemërsisht dhe uroj që ta kaloni sa më mire e bukur, këtë ditë të shënuar e të rrallë, në historinë shumëshekullore të atij fshati e tërë krahinës Nikaj-Mërtur!

Brezat tanë paraardhës, me shpirt atdhetar, luftarak e liridashës, përherë u përballën dhe asnjehërë nuk iu nënshtruan pushtuesve, që synonin ta gjunjëzonin atë. Janë të panumërt trimat e trimëreshat e asaj treve, që lanë emër të artë në jetën e asaj zone, me bukuri të mahnitëshme natyrore, që vështirë mund t’i gjeshë në Shqipëri, Ballkan e më gjerë, në Europë.

Ne kemi të drejtë të krenohemi dhe meritojnë respekt të përhershëm, figura ta tilla të kryetrimave e martirëve të lirisë e demokracisë, që nga Bajram Curri-‘Hero i Popullit” e “Nderi i Kombit”, me prejardhje nga ky fshat e bashkëpunërori i pandarë i tij, Gjelosh Rama-Mrishaj dhe deri te Kolë Adem Përpepaj e shumë të tjerë, që përbëjnë një listë e gjatë, për t’i përmendur.

Unë e kam ndier përherë veten kranar dhe vazhdoj ta ndiej, që jam me origjinë nga fshati Curraj i Epërm, nga ku u shpërngulën të parët e mi, në gjysmën e dytë të shekullit 19-të dhe u vendosën në Bujan të Malësisë së Gjakovës (Tropojë). Po kështu, megjithëse i larguar nga vendlinndja, që në moshën 12-vjeçare, kudo që kam jetuar e punuar apo udhëtuar jashtë Shqipërisë, gjithmnonë e kam patur atë, në mendje e në zemër. Një gjë të tillë e kam dëshmuar edhe me lidhjet e pandërprera me banorë të atij fshati, me vizita aty, në shkrime ose libra të ndryshëm, që kam publikuar.

 Pa u zgjatur më tej, i përshëndes dhe i përgëzoj, posaçërisht: Nismëtarët e organizatorët e çeljes së kësaj rruge, për në “amfiteatrin gjigand” natyror të fshatit Curraj Epërm, që nga Shoqata Nikaj-Mëartur, me kryetar Dr.Mhill Gecaj; bashkinë e qytetit “Bajram Curri”, me kryetar, Besnik Dushaj; deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Isuf Çelaj dhe adminitratorin e Njësisë së karahinës Nikaj-Mërtur, Gjovalin Gjeloshaj.

Nderimin, respektin dhe falënderimin e të gjithëve meritojnë: punëtorët, që u morën me hapjen e kësaj rruge të vështirë malore, por dhe tërë ata bujarë të panumërt, bashkëfshatarë e bashkëkrahinas, brenda e jashtë Atdheut, të cilët ndihmuan dhe mbështetën punimet për ketë rrugë tepër malore, me mjete monetare, sipas mundësisë së tyre!

Jam i bindur që, në historikun e fshatit alpin e aq manitës të fshatit Curraj i Epërm, kjo ngjarje do të mbetet pjesë shumë e rëndësishme krenarie të natyrshme, për brezat e sotëm dhe ata, që do të vijnë pas nesh.

Paçi faqen e bardhë, ju të gjithë pjesëmarrësit, në atë manifestim shumë të gëzuar dhe falëmeshndete e urimet më të mira, për: tërë banorët e fshatit Curraj i Epërm, Nikaj-Mërturit e Malësisë së Gjakovës.

 

Me nderime të veçanta e respekte të thella!

Nga: Prof.Murat Gecaj, publicist e studiues;

Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë;

Përgjegjës seksioni, në Institutin e Integrimit të Kulturës shqiptare.

Tiranë, më 13 tetor 2018