Nga autonomia e Vojvodinës ka mbetur vetëm fasada: Serbia, shtet i konservuar në disfata dhe në rolin e viktimës

09.09.2016 23:01:51

Pjesëmarrësit e Konferencës së Intelektualëve në Sombor, vlerësojnë se autonomisë së Vojvodinës i ka mbetur vetëm fasada dhe se s’ka mbetur gjë tjetër nga kjo, raporton Beta.

“Nga Vojvodina ka mbetur veç një surrogat ligjor, një fantom para-autonom, ku autonomi në fakt nuk ka. Megjithatë, edhe pse autoritetet në Vojvodinë janë armiq të përbetuar të autonomisë, në mënyrë paradoksale ata po ia zgjasin jetën kësaj krijese, sepse u pëlqejnë postet dhe fondet e ndryshme”, ka thënë avokati Slkobodan Belanski, në konferencën ”Sfidat: Kultura e dialogut”.

Historiania e njohur serbe dhe ish-politikania komuniste, Llatinka Peroviq, ka vlerësuar se Vojvodina ishte viktimë e “migracion dhe serbizimit të vazhdueshëm”, transmeton Telegrafi. Sipas saj, Vojvodina i ka dhënë shumë Serbisë, por në të njëjtën kohë hungarezët – që po ashtu kanë bërë aq shumë për Serbinë – kanë qenë të padëshirueshëm për këtë shtet. Peroviq tha se Serbia nuk ka ndryshuar modelin me të cilin vendi ka hyrë në errësirë – idenë që të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet e që është gabim i pakorrigjueshëm, për çka edhe sot ka krizë, konflikte e jostabilitet në rajon.

Kryetarja i Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, tha se agresioni në Kosovë dhe Vojvodinë i ish-liderit serb, Sllobodan Millosheviq, ishte hyrje në luftërat që pasuan më vonë.

“Serbia nuk e ka pranuar humbjen; ajo është konservuar në disfata dhe në rolin e viktimës. Në vend që t’i kthehet ndërtimit të shtetit modern në kufijtë e pranuar, Serbia ka qëndrim nënçmues ndaj rajonit, SHBA-ve, BE-së e NATO-s”, tha Biserko.

Gazetari Dimitrije Boarov mendon se Kushtetuta serbe e vitit 2006, Vojvodinën e redukton në nivelin e pushtetit lokal administrativ e jo si njësi politike.

“Përderisa nuk i keni të drejtat burimore, nuk i keni as autonome”, ka thënë ai.

Konferenca u organizua nga Forumi i Vojvodinës, me rastin e 20-vjetorit të Sallonit – qarkut intelektual që njëherë në muaj mbahet në Novi Sad, me qëllim të shkëmbimit të ideve dhe opinioneve për rrethanat sociale dhe autonominë e Vojvodinës.