Nis Botërori i Klubeve, Kashima në çerekfinale

08.12.2016 23:02:54

Botërori i klubeve ngriti zyrtarisht siparin me sfidën e parë, atë play off mes Kashima Antlers dhe Auckland City.

Ekipi japonez fitoi 2-1 këtë sfidë duke eliminuar nga turneu, kampionen e zonës së Oqeanisë duke siguruar njëkohësisht dhe një vend në çerekfinale. Në stadiumin e Yokahomas, takimi nisi me një minutë heshtje në nder të lojtarëve të Chapoconeses, që humbën jetën në fundin e muajit nëntor pas një aksidenti ajror.

Fillimisht Auckland ishte më superior duke krijuar disa mundësi të mira shënimi. Goli i skuadrës neozelandeze megjithatë erdhi vetëm në minutën e 50-të kur Dae Wook Kim i dha epërsinë të tijve. Kashima megjithatë e shtyrë dhe nga publiku I saj mundi të barazojë rezultatin me Akasakin në të 67-ën.

Atëherë kur u mendua se ndeshja do të shkonte në shtesë ishte Kanazaki që në minutën e 88-të I dha fitoren të tijve duke eliminuar kampionët e Oqeanisë nga turneu. Falë këtij suksesi Kashima siguroi një vend në çerekfinale ku do të ndeshet me kampionen e Afrikës, klubin afrikano-jugor të Mamelodi Sundowns, ndërsa sfida tjetër çerekfinale do të jetë ajo mes koreanëve të Jeonbuk Hyundai dhe America të Meksikës.