Katër ish-drejtuesit e Universitetit të Gjakovës- Bajram Nuraj, Gazmend Qorraj, Isa Elezaj dhe Kastriot Buza- janë duke u hetuar nga prokuroria nën dyshimin për vjedhjen e mbi 10 mijë eurove. Hetimet kanë nisur pas raportimit të Insajderit.

Prokuroria e Shtetit është aktivizuar pas publikimit nga Insajderi të hulumtimit të titulluar “Katër profesorët e UP-së që dyshohet se vodhën mbi 10 mijë euro në Gjakovë”.

Artikulli është publikuar më 15 korrik të këtij viti, ndërsa një javë më pas është autorizuar Prokuroria Themelore e Gjakovës që të ndërmarrë veprimet e duhura lidhur me këtë rast.

“Në momentin që kemi marrë këtë informacion Prokuroria e ka marrë me seriozitet  rastin, dhe  tani është  proceduar  për më tutje rasti në fjalë”, ka konfirmuar për Insajderin, Hekrem Lutfiu, zyrtar informimi në Prokurorinë e Shtetit.

Vendimin për ndërmarrjen e veprimeve hetimore e ka marrë prokurori Besim Kelmendi, më 22 korrik të këtij viti.

Kelmendi ka vendosur që rasti t’i dërgohet në kompetencë Prokurorisë Themelore në Gjakovë.