NOSTALGJIKËT E “PARTIZANIT TË PANJOHUR” BASHKIM OPOZITAR, APO MË TEJ…TENDENCA PËR PARTI SHTET!

12.11.2017 23:32:58

Isuf B.Bajrami

Të shtunën, dhjetëra polic u vendosën përreth ish vendit ku qëndronte “partizani i panjohur” për t`i mbrojtur nostalgjikët e ish-monumentit, nga zemërimi i protestuesve! Për derisa disa “artistë” e kanë konvertuar ish-monumentin në objekt me përdorime të tjera, shumica e shqiptarëve e shohin atë si simbol të një epoke të shëmtuar të cilën dëshirojnë ta harrojnë.

Duke e cilësuar vendimin për heqjen e “partizanit të panjohur” si një “mentalitet shkatërrues”, “artisti” dhe disa nostalgjikë rreth tij, ngritjen e monumentit të ri të “Idriz Seferit”e titulloi si një formë të “agresionit arkitekturor” dhe vuri në pikëpyetje logjikën e ndërtimit. Nëse kjo është si arsye se si duhet të organizohet hapësira publike – pothuajse e diktuar – ne me të vërtetë nuk jemi shumë larg nga format e politikës së kaluar sllavo-komuniste!

Monumentet e ish sistemit sllavo-komunist janë pjesa më e dukshme dhe tërheqin shumë vëmendjen e të huajve, ndonëse jo shpesh të shqiptarëve. Shumë vende në Evropën Lindore kanë një farë magjepsjeje ndaj regjimeve të vjetra sllavo-komuniste dhe kanë hapur muzeume për atë kohë.

Ndërkohë, nostalgjikët e sllavo-komunizmit janë rishfaqur më shumë gjatë viteve të fundit, veçanërisht gjatë ceremonive të ndryshme përkujtimore për ngjarje të Luftës së Dytë Botërore. Problemi këtu është, gjithsesi, se në Kosovë nuk ka pasur kurrë procese të rregullta gjyqësore për t’u përballur me krimet e kryera në atë kohë.

Kohët e fundit sistemi i Partisë shtet ka ri-filluar të jetë në formë, në përmbajtje e në veprim! Duket se është ri-instaluar. “Pavarësia e institucioneve” siç duket nuk funksionon ka ra, Partia shtet organizon, programon e drejton deri në detaje gjithçka dhe kudo. Institucionet janë nën thundrën e partisë shtet dhe të gjitha fijet e institucioneve lirohen e shtrëngohen nga një zyrë, ku shteti dhe partia shkrihen në një masë të vetme. Regjimi më brutal sllavo-komunist, që mbajti peng popullin shqiptar, një regjim që u shndërrua në burg përmes terrorit shtetëror, me krimet kundër njerëzimit si karakteristikë të tij unike.

Populli shqiptar luftoi shumë kundër regjimit fashist italian nën Musolinin dhe kundër Gjermanisë naziste nën Hitlerin. Kodi i besës i shqiptarëve u dha atyre fuqinë morale dhe fizike për të shpëtuar çdo hebre që u shpërngulën nga Jugosllavia dhe Evropa perëndimore, për t`u mbrojtur gjatë Holokaustit. Fatkeqësisht, populli shqiptar u tradhtua gjatë Luftës së Dytë Botërore, që zëvendësoi okupimin nazist me regjimin më brutal sllavo-komunist! Qëllimi i sllavo-komunizmit ishte që të vriste ndjenjën liridashëse të popullit shqiptar dhe të shkatërronte shpirtin e tyre të vëllazërisë në favor të ndërtimit të shtetit totalitar nën sundimin Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Duke thyer kodin shqiptar antik të besës dhe nderit, sllavo-komunizmi krijoi një kulturë ku njerëzit duhej vazhdimisht të ishin nën mbikëqyrje dhe në “mbrojtje”, duke mos ditur se prej nga do të godiste rreziku i radhës!

Viktimat e sllavo-komunizmit, dëshirojnë demokraci të vërtetë. Shfrytëzoj rastin që t`i apeloj qeverisë që të sjellë demokraci të vërtetë, t`u kërkoj zyrtarisht falje viktimave të sllavo-komunizmit dhe familjeve të tyre, të themelojë një komision të së vërtetës, dhe më në fund të hap arkivat sllavo-komuniste për të gjithë, që do tu lejonte familjeve të fillojnë procesin e gjatë të shërimit dhe të rivendosë besimin në qeverinë dhe udhëheqësit e saj. Varrosja e së kaluarës sllavo-komuniste nuk u sjellë as drejtësi as shërim, atyre që vuajtën. Në fakt, kjo veçse ka vazhduar dhimbjen e tyre! Kjo më kujton të mbijetuarit hebrenj të Holokaustit që u detyruan të vuajnë në heshtje për vite me radhë, deri sa Izraeli kërkoi të shpaloste plotësisht trashëgiminë traumatike të nazizmit dhe të shokonte ndërgjegjen e botës – duke filluar me kapjen dhe gjykimin në vitin 1961 të Adolf Eichmann, njëri prej arkitekteve kryesore të planit të Hitlerit për zhdukjen e hebrenjve të Evropës.

Besoj se duhet të fillojmë procesin e shërimit nga dhimbja e së kaluarës (një e kaluar e cila është mjaft gjallë sot) duke marr nga qeveria llogari sa më të plotë për periudhën e sllavo-komunizmit. Megjithatë, plagët e sllavo-komunizmit dhe kulturat binjake të frikës dhe korrupsionit ende janë në veprim! Partitë politike hapur luftojnë për pushtet, dhe përfitimet e korrupsionit e mbajnë vendin jashtë Bashkimit Evropian, përderisa fqinjët  janë tashmë në BE ose janë në rrugë për anëtarësim.  Kjo gjendje e tmerrshme terrori filloi mu braktis zyrtarisht me rënien e Murit të Berlinit në tetor (1989), dhe se është koha për ta rrëzuar perden e hekurt sllavo-komuniste që ndanë popullin shqiptar nga demokracia, Evropa, dhe bota.

 

Gjilan;11.11.2017