“Nuk më tremb Beogradi…”, ministri me dy pasaporta voton në Kosovë

06.10.2019 11:51:10

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme Gent Cakaj në Shqipëri, në respektim të së drejtës Kushtetuese, ka votuar sot në Prishtinë në ambientet e shkollës “Shtjefën Gjeçovi”.

Duke i cilësuar votimet si ushtrimin më të frytshëm të demokracisë, Cakaj e ka cilësuar si shumë të rëndësishme këtë ditë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Në një prononcim për mediat, Ministri në Detyrë Cakaj ka shpjeguar dhe arsyen e pjesëmarrjes së tij në votime.

“Unë nuk jam thjesht një shtetas i Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, por jam edhe një qytetar aktiv, i cili beson që fati  i këtyre dy vendeve është i pandashem. Qoftë zgjedhjet e qershorit në Shqipëri, qoftë zgjedhjet e tetorit tani pavarësisht dallimeve të dy vendeve kanë diçka të përbashkët, janë shprehje e vullnetit të përgjithshëm politik”, shprehet Cakaj.

Ndërkaq, i pyetur në cilesinë e qytetarit të Kosovës dhe jo të Kreut të Diplomacisë së Shqipërisë, Cakaj ka evidentuar dhe çështjet e shqetësimet që kanë më së shumti sot qytetarët e Kosovës.

“Kosova ka ndërtuar një traditë të zgjedhjeve të lira e demokratike dhe kjo është për t’u vlerësuar sepse shërben si shembull në rajon. Kosova po ballafaqohet me dy grupime sfidash në periudhat që po vijnë, konsolodimin e shtetit të së drejtës dhe ekonomisë, si dhe nga ana tjetër konsolidimin e shtetit në arenën ndërkombëtare” – tha Cakaj.

Në fund, i pyetur si e pret një reagim të Beogradit për votimin e tij edhe në Tiranë edhe në Prishtinë Cakaj shprehet se voton në bazë të bindjeve të tij dhe në përputhje me interesat e vendit të tij Kosovë dhe Shqipëri, nuk ka shqetësim për reagimet e Beogradit.