Pacolli dhe Athanassiadou flasin për fuqizimin e raporteve Kosovë-Greqi

15.09.2017 11:22:25

Zëvendëskryeminiministri dhe ministri Jashtëm, Behgjet Pacolli, është takuar me shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadoren Konstantina Athanassiadou, ku është konfirmuar angazhimi dhe mbështetja e dy vendeve për ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme bilaterale në aspektin politik dhe ekonomik.

Ministri Pacolli ka thënë se Greqia është partner i rëndësishëm i Kosovës, si dhe fqinj rajonal i saj.

“Vlerësojmë mbështetjen që Greqia ka dhënë dhe po jep në ndërtimin e perspektives euroatlantike të Kosovës”, ka thënë Pacolli, duke rikonfirmuar se dy vendet trajtojnë reciprokisht relacionet me respekt dhe përkushtim të madh.

Sipas një komunikate të MPJ-së, në takim u diskutua edhe për projektet e reja bilaterale ndërmjet dy vendeve, sidomos në organizimin e konferencave të përbashkëta ekonomike.

Zëvendëskryeminiministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Behgjet Pacolli dhe shefja e re e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Prishtinë, ambasadorja Konstantina Athanassiadou, shprehën angazhimin e përbashkët për fuqizimin e mëtutjeshëm të raporteve ndërmjet Greqisë dhe Kosovës.