Pacolli: Kthimi i qytetarëve tanë nga Siria, lajm i madh humanitar dhe diplomatik

20.04.2019 19:33:28

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka njoftuar se kanë punuar shumë për këtë lajm dhe janë të lumtur për këtë.

Përmes një shkrimi në Facebook, Pacolli ka thënë se kthimi i 110 shtetasve tanë nga Siria është një lajm i madh humanitar, diplomatik, në fushën e sigurisë.

“Ne kemi punuar shumë për këtë lajm dhe jemi të lumtur me këtë lajm. Problemi më i madh është çka tash? Ne do të punojmë urgjentisht me një program riintegrimi njëjtë sikur ata që kanë varësi nga droga: drogë e fortë është propaganda e ekstremizmit”, thotë Pacolli.

Ai ka theksuar se, familjet duhet të mbështeten fuqishëm edhe nga miqtë tanë ndërkombëtarë.

” Ata që ishin në front duhet të analizohen dhe të mbahen në mbikëqyrje ligjore. Ne nuk kemi luksin as me lejuar qarkullimin e lirë të kriminelëve potencialë, helmimin e rinisë sonë prej tyre, por as hedhjen në kosh të dhjetëra jetëve njerëzore, viktima të një propagande globale shumë dinake!  Kosova duhet të shndërrohet në shembull për adresimin e këtij problemi!

Ne duhet më në fund të analizojmë pse ndodhi ajo që ndodhi, gabimet tona si shtet, ato të miqve tanë, të edukimit të familjeve, në raportin e shtetit me fenë! Kurrsesi nuk duhet të na ndodhë më ajo që ndodhi! Kosova nuk duhet ta humbë boshtin perëndimor të përparimit të saj”, shkruan Pacolli.