Pacolli për dialogun: Do të provohet që Kosova dhe Serbia të lidhen ekonomikisht

18.05.2018 20:01:54

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Behgjet Pacolli, ka folur për dialo

Ai ka bërë të ditur në një intervistë ekskluzive në Info Magazine të Klan Kosovës se në Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor të mbajtur në Sofje ka takuar shumë politikanë dhe liderë evropian me të cilët ka diskutuar pikërisht për këtë dialog.

“Të gjithë i kam takuar por informatat më të mira i kam marrë prej homologes bullgare, nga ana e Bullgarisë se ata kanë qenë organizatorë të këtij samiti dhe përpiluesit e të gjitha deklaratave”.

“Secili nga ta më ka thënë se Serbisë i ngutet jashtëzakonisht shumë që kjo barrë që e rëndon t’i hiqet. Është barrë që e rëndon edhe Kosovën por Serbia tash po e sheh mënyrën si të përfitojë diçka në momentin e fundit”.

Pacolli ka deklaruar se “Kosova duhet të vazhdojë dialogun me Serbinë dhe se është jashtëzakonisht e interesuar që ky dialog të përmbyllet”.

“Kosova nuk ka çka t’i ofrojë më Serbisë, ne kemi hapur ‘thesin’ tonë dhe kemi ofruar dhe dhënë çdo gjë. Nuk na ka mbetë më çfarë t’i ofrojmë Serbisë”.

Zëvendëskryeministri kosovar ka folur edhe për një “finale” mes Kosovës dhe Serbisë duke thënë se mund të ketë një tentim për të lidhur këto dy shtete fqinje ekonomikisht.

“Finalen e parashoh se do të ketë një marrëveshje. Mendimi im personal është se duke parë se Kosova nuk ka çfarë t’i ofrojë më Serbisë, ndoshta do të ketë ndonjë tentativë të Bashkësisë Ndërkombëtare që t’i ndërlidhë sa më tepër ekonomikisht këto dy shtete, në një mënyrë t’i ndërlidh më afër ekonomikisht”.

“Ndoshta mund të kërkohet që të ketë vijë ajrore prej Beogradit në Prishtinë ose që treni që vjen prej Beogradit të kalojë nëpër Kosovë dhe të shkojë në Shkup ose anasjelltas”.

“Mund të kërkohet që ndoshta në projektet e mëdha infrastrukturore të ketë një qasje të përbashkët si në prodhimin dhe distribuimin e energjisë elektrike”.

“Sigurisht do të jetë tentativë që me kombinimet ekonomike të joshen dy vendet që të bëjnë këtë marrëveshje historike dhe të mbeten të lidhura mes vete”.

Ai ka thënë se nëse një tentativë e tillë bëhet realitet do të jetë edhe në interes të Kosovës.

“E kemi fqinj të parë Serbinë dhe jemi të ndërlidhur në shumë fusha. Po frikësohem se do të ketë kërkesë që ne nuk jemi në gjendje ta kuptojmë që është kërkesë e drejtë”.

“Është e paevitueshme të punojmë globalisht. Sikur mos ta kishim Serbinë kështu si është tani, me qasje armiqësore, do të ishte interesi shumë i madh i yni që të bashkëpunojmë në mënyrë globale”.