Partitë pro-BE fitojnë shumicën në Parlamentin Evropian

26.05.2019 22:10:12

Nga: Muhamet Hamiti

Simbas njoftimeve të mediave këtë mbrëmje, një sërë partish pro-BE kanë fituar shumicën në zgjedhjet për Parlamentin evropian që po mbahen prej datës 23-26 maj 2019. Do të jetë një shumicë më e fragmentuar e këtyre partive sesa në zgjedhjet e fundit.
Grupi i partive të qendrës së djathtë (Partia Popullore Evropiane, EPP) do të jetë grupi më i madh në Parlament, simbas parashikimeve.
Në ndërkohë, partia më e madhe në Parlament, simbas “The Financial Times”-it, ka mundësi të dalë Partia Brexit e Britanisë, me më shumë deputetë sesa Demokristianët e Krishterë (CDU) të kancelares gjermane Angela Merkel.
Partitë euro-skeptike dhe të ekstremit të djathtë do të kenë një të katërtën e ulëseve në Parlamentin Evropian.
Është shënuar rritje e përkrahjes për të Gjelbrit.
Partia En Marche e presidentit francez Macron ka dalë e dyta në Francë, mbas partisë së Le Penit. Partitë tradicionale atje, socialistët dhe konservatorët, janë rrudhur së tepërmi.
Partitë euro-skeptike, anti-establishment dhe të ekstremit të djathtë duket se do të fitojnë në Britani të Madhe, Itali, Poloni dhe në Hungari.