Pas 13 fitoreve, Chelsea mposhtet 2-0 nga Tottenham

04.01.2017 23:09:14

Tottenham ka mundur rivalët e të njëjtit qytet Chelsea me rezultatin 2:0 duke i shkaktuar humbjen e parë pas 13 fitoreve radhazi. Me këtë humbje Blutë e Antonio Conte nuk arritën të kalojnë rekordin e Arsenal me 14 fitore radhazi por mbeten në krye të Premier League me një avantazh të konsiderueshëm ndaj ndjekësve. Ylli i kësaj mbrëmjeje ishte i riu anglez Dele Alli i cili me dy golat e tij, një në pjesën e parë e një në të dytën, ka siguruar fitoren e katërt radhazi për Tottenham të cilët tashmë janë ngjitur në vendin e tretë të renditjes.

Goli i disavantazhit bëri që Chelsea të niste vrullshëm pjesën e dytë, por blutë e Londrës u treguan të pasaktë përpara porte, ndërsa Tottenham në krahun tjetër gjeti sërish frymëzim te dyshja Erikssen-Alli, me këtë të fundin që shtyu sërish për në rrjetë me kokë, golin e 2-0.

Përpjekjet e Chelseat për të rihapur takimin rezultuan të kota, pasi Tottenham ruajti fitoren deri në fund duke u rikthyer jo vetëm vetë në garë për titullin por dhe duke i bërë një nder ekipeve të tjera të Premier League.