PDK E LDK NUK DËRGOJNË PROPOZIME PËR REFORMËN ZGJEDHORE

PDK E LDK NUK DËRGOJNË PROPOZIME PËR REFORMËN ZGJEDHORE

02.04.2017 11:36:13

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka paralajmëruar se shumë shpejt do t’i dërgojë në Kuvend propozimet e partive politike për reformën zgjedhore që ka iniciuar kohë me parë, por partitë politike nuk kanë dërguar asnjë propozim, pasi nuk kanë funksionuar grupet fillestare për këtë çështje të iniciuara nga presidenti Thaçi.

Zyra për media e presidencës, ka konfirmuar për KosovaPress, se ekipet punuese për hartimin e legjislacionit për reformën zgjedhore dhe janë finalizuar aktet normative, siç janë propozim amendamentet e Kushtetutës; projektligji për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës; projektligji për zgjedhjet e Kuvendit të Kosovës dhe Projektligji për zgjedhjet lokale në Kosovë.

Meqë këto akte normative janë finalizuar nga departamenti për çështje ligjore i Presidencës, presidenti Hashim Thaçi, thotë se këto propozim ndryshime shumë shpejt do t’i dërgoj në Kuvend.

Mirëpo, krejt ndryshe po thonë partitë politike në vend. Përveç opozitës e cila ka bojkotuar nismën e kreut të shtetit, edhe dy partitë në pushtet, PDK e LDK thonë se nuk ka pasur punë intensive nga grupet punuese të themeluara nga presidenti, pos nismës fillestare.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Zenun Pajaziti tha për KosovaPress, se janë të gatshëm të ulen për të bërë një reformë të mirëfilltë zgjedhore, por nuk kanë si ta bëjnë këtë gjë pa qenë të gjitha partitë të përfshira në këtë proces.

Pajaziti, konfirmon mos dërgimin e propozimeve të tyre si parti për reformën zgjedhore, meqë nuk ka pasur tryeza për diskutim dhe nuk kanë pasur ku t’i dërgojnë.

Të njëjtën gjë e thotë për KosovaPress, edhe deputeti i LDK-së, Sadri Ferati, sipas të cilit përveç nismës fillestare nuk ka pasur punë intensive nga grupet.

Megjithatë, në këtë proces të nisur nga presidenti shoqëria civile thotë t’i ketë dhënë propozimet e veta në punën e grupeve që janë mbajtur.

Albert Krasniqi prej KDI-së e quan jo transparent këtë proces, meqë edhe tre muaj pasi ka përfunduar punën grupet, ende nuk e kanë parë draftin final të përgatitur nga zyra e presidentit.

Partitë opozitare qysh nga fillimi e kanë bojkotuar këtë proces, duke paralajmëruar se edhe në Kuvend do ta kundërshtojnë një iniciativë të tillë.