PDK kundër mocionit të LDK-së për rrëzimin e Qeverisë “Haradinaj”

13.04.2018 22:22:50

Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë “Haradinaj”, si opsion i LDK-së për të shkuar në zgjedhje të reja parlamentare, mund të dështojë nëse kjo parti llogaritë në votat e deputetëve nga radhët e PDK-së, pasi që kjo parti këmbëngulë në vazhdimin e mandatit qeverisës.

Kështu ka bërë të ditur  Ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri, i cili njëherit është edhe anëtar i Kryesisë së PDK-së. Sipas tij, mocioni i paralajmëruar nga LDK është më tepër lojë politike e kësaj partie, marrë për bazë zgjedhjet brendshme në LDK të cilat mund të mbahen brenda këtij viti.

“Ne jemi të përkushtuar që kjo qeveri të çoi deri në fund mandatit katër vjeçar dhe gjasat nuk janë kurrfare, unë jam shumë i bindur që ky mocion është një lojë politike e brendshme e LDK-së, se kush është më i zhurmshëm kundër këtij koalicioni qeverisës, pasi që si duket edhe zgjedhjet brenda partisë i kanë afër, pra duan të përfitojnë politikisht që të kenë pozita më të fuqishme brenda partisë”, tha Tahiri.

Ai me bindje u shpreh se ky mocion madje nuk do të shkojë as në Kuvendin e Kosovës, por edhe nëse shkon, sipas tij ai “pa dyshim se do të dështojë”.