PDK pret edhe të propozuarin e koalicionit PAN për dekretim në KQZ nga presidenti

28.03.2019 14:33:38

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka emëruar tetë anëtarë të rinj të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

“Tetë anëtarët e përbërjes së re të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve janë Sami Hamiti, Florian Dushi, Adnan Rrustemi, Nazlie Bala, Alfred Kinolli, Ćemailj Kurtiši, Ercan Şpat dhe Stevan Veselinoviq.

Ndonëse edhe i propozuari i PDK-së, Ilir Gashi, ka marrë ftesë që të dekretohet nga Presidenti, ai nuk ishte i pranishëm në emërimin e anëtarëve të KQZ-së.

Betim Gjoshi nga PDK në një prononcim për Telegrafin, ka treguar arsyen se përse nuk ishte i pranishëm Gashi. Ai ka thënë se duhet pritur të propozuarin tjetër nga koalicioni PAN në mënyrë që të dekretohen të dy.

“Iliri sot nuk ka shkuar sepse do ta pres edhe të propozuarin tjetër të koalicionit PAN. Kur të bëhen dy atëherë do të shkojnë. Nuk e dimë kush është i propozuari tjetër”, ka thënë Gjoshi.