Pikturat e panjohura të Ibrahim Kodrës ekspozohen në Milano

20.10.2017 12:35:00

Në 100 vjetorin e lindjes së piktorit të njohur Ibrahim Kodra, është hapur këtë fundjavë një ekspozitë, në “Museo della Permanente” në Milano.

Në këtë ekspozitë marrin pjesë 19 vepra të Maestro Kodrës, të cilat datojnë nga 1944 -1964. Në ekspozitë janë dhe vepra të artistëve të tjerë të njohur si Chagall, Kuniyoshi, Cassinari Ajmone, Peverelli.

“Pjesa më e madhe e tyre janë vepra të panjohura e të paekspozuara më parë. dhe i përkasin muzeut “Ibrahim Kodra” në Milano apo koleksioneve të ndryshme private në Breshia, Palermo a Torino” shprehet kuratori i veprës Fatos Faslliu. Ekspozita, e cila përmban përveç veprave të Kodrës edhe disa nga punët e artistëve të viteve 50’60’ është një homazh për artistin shqiptar. “Kjo është ekspozita e parë, që çel siparin e aktiviteteve të planifikuara në kuadër të 100- vjetorit të piktorit Ibrahim Kodra.

Për mua është një emocion i papërshkueshëm, të shohësh maestro Kodrën midis dy artistëve botërorë si Shagall e Kuniyoshi, gjë e cila nuk ndodh shpesh. Aq më shumë kur artist të mëdhenj të pikturës si; Cassinari, Ajmone, Peverelli etj ekspozojnë në homazh të Maestro Kodrës. Çdo artist që merr pjesë në ekspozitë përfaqësohet me nga një vepër” shpjegon Faslliu. Sipas kuratores së ekspozitës Elena Pontiggia ekspozita ka për qëllim të risjellë në vëmendje një periudhë artistike të harruar të Ibrahim Kodrës, atë të viteve ’50 e ’60.

“Flasim për periudhën kur Kodra, i cili ishte zhvendosur në Milano më 1938, i afrohet informales ( lëvizje artistike që lindi menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore), pasi kishte provuar gjininë asbstrakte-gjeometrike, e afërt me neokubizmin dhe konkretizmin e M.A.C. Piktura e tij e mbushur me ngjyra dhe lëvizje, pasurohet me motive erotike dhe kujtime, për të mbërritur në një figuralitet surreal dhe fantastik. Ekspozita që çel aktivitetet për 100 vjetorin e lindjes së artistit, përfshin të gjitha veprat më përfaqësuese të kësaj periudhe dhe një nga më të rëndësishmet e krijimtarisë së tij”, shprehet Pontiggia.

“Pjesa më e madhe e aktivieteve është e përqëndruar në Milano kryesisht me rastin e 100 vjetorit, por edhe Galeria Kombëtare e Tiranës ka konfirmuar një ekspozitë retrospective për Ibrahim Kodrën gjatë vitit të ardhshëm. Gjithashtu edhe Galeria Kombetare e Shkupit ka konfirmuar realizimin e një ekspozitë gjatë muajit qershor 2018”, shton më tej Faslliu. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri në datën 5 nëntor në Muze, nga ora 9:30 – 19:00.

Ibrahim Kodra lindi në Ishëm më 22 prill të vitit 1918. Në vitin, 1938 largohet nga Shqipëria përgjithmonë me njė bursë studimi nga oborri mbretëror për në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë. Më pas lë Romën dhe përfundon në Milano, në Akademinë e Arteve të Bukura të Brerës. Ai ekspozon në Romë, Milano, Venecia, Paris, Beograd, Nju Jork, krijon krahasimet dhe raporte me piktorë të mëdhenj si Pikaso, Marc Chagall, Henry Matisse, Lucio Fontana, Renato Guttuso, me poete, shkrimtarë, Kritike e regjisorë nga Eugenio Montale dhe Vittorio Sereni, nga Bertoni tek Bruno Munari, dhe Giuseppe Marotta.