Policia e Kosovës apel vozitësve për kujdes të shtuar në komunikacion

09.01.2019 13:25:22

Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të kenë kujdes të shtuar gjatë ngasjes së automjeteve për shkak të kushteve atmosferike.

Policia thekson se përmes planeve konkrete me njësitet e saj ka marrë masa për përforcimin e shërbimeve të Policisë së Komunikacionit Rrugor në të gjitha akset rrugore, me qëllim të ngritjes së nivelit të sigurisë dhe parandalimit të aksidenteve në trafik.

“Policia e Kosovës kërkon nga të gjithë pjesëmarrësit në trafik, e në veçanti nga drejtuesit e automjeteve, që të respektojnë shenjat e komunikacionit rrugor si dhe t’u përshtaten kushteve atmosferike gjatë ngasjes së automjeteve, sepse tani të reshurat ndikojnë në zvogëlimin e dukshmërisë në rrugë, ku në disa akse rrugore mund të paraqiten vështirësi në qarkullimin rrugor e sidomos në orët e vona dhe ato të hershme ku mund të paraqiten edhe ngrica”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës po ashtu vazhdon të apeloj tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë dispozitat ligjore të lëmit të komunikacionit, të posedojnë pajisjet e nevojshme dimërore, t’iu përshtaten kushteve të rrugës dhe kushteve atmosferike, pasi që këto norma janë vendosur për mbrojtjen e jetës së tyre dhe pjesëmarrësve tjerë në komunikacion.