Policia e Kosovës konfirmon vendosjen e gjobës dhe ndalimin e gazetarëve rus

16.09.2016 18:49:49

Policia e Kosovës gjatë ditë së djeshme ka arrestuar dy shtetas rus të cilët prezantoheshin si gazetarë . Ndërsa Indeksonline pak më parë ka bërë të ditur se të dyshuarve i është caktuar gjobë sipas ligjit dhe se të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit prej pesë viteve në Kosovë, transmeton Indeksonline.

Kjo është komunikata e plotë nga Policia e Kosovës:

1. Me datën 15.09.2016  rreth orës 18:30 nga patrulla policore e Stacionit Policor në Rahovec është ndaluar një veturë e tipit Peugeot me targa KS, të cilën e drejtonte një shtetas serb i Kosovës (Z.M.) i lindur me (1972) nga Shtërpca, në veturën e të cilit kanë qenë edhe dy shtetas të huaj të cilët janë prezantuar si gazetarë, njëri i gjinisë mashkullore S.B. i lindur më (1991) në Ukrainë, ndërsa tjetri i gjinisë femërore S.O. e lindur më (1993) në Ukrainë, tani me nënshtetësi të Federatës Ruse.

Policia e Kosovës, respektivisht autoritetet e policisë kufitare nga drejtoria për migrim dhe të huaj ka trajtuar rastin duke ndërmarr veprime të menjëhershme sipas procedurave të parapara  dhe ligjeve të aplikueshme në vend. Personat e ndaluar janë dërguar në qendrën e mbajtjes për të huaj për të vazhduar me procedura të mëtejme sipas ligjit.

Pas verifikimeve të nevojshme është vërejt se përveç që këta persona nuk kanë vizë të RKS-së, nuk kanë të vendosur  as vulën hyrëse e cila vendoset nga autoritetet tona policore në pikëkalimet kufitare. Përderisa në konsultim me prokurorët kompetent shtetasit në fjalë janë trajtuar në pajtim me  dispozitat e Ligjit për te Huajt për qëndrim të paligjshëm sipas nenit 93   paragrafi 1 pika 1.1. dhe 1.2 si  dhe dispozitave ndëshkimore të parapara në nenin 129 pragrafi 1 pika 1.2.  Pra, të njëjtëve, nga autoritetet kompetente policore të RKS-së iu është shqiptuar gjoba sipas ligjit dhe Urdhër Largimi me Forcë, me ndalesë rihyrjeje prej pesë (5) viteve, i cili  urdhër do të ekzekutohet menjëherë duke i dërguar me përcjellje policore deri në pikëkalimin kufitar në Merdare, ku do të largohen për në Republikën e Serbisë.

2. Poashtu, me datën 16.09.2016 në hyrje të Republikës së Kosovës nga drejtimi i Serbisë ka ardhë automjeti i tipi Chrysler me targa gjermane me vozitës shtetasi gjerman (me përkatësi ruse B.S ), i lindur me (1947) dhe me banim në Berlin të Gjermanisë, me ç’rast gjatë kontrollit të automjetit  janë gjetur një revole me gas, një karikator dhe pesë fishekë, si dhe dy thika me gjatësi tehu njëra 10 cm dhe tjetra 11 cm .

Me autorizim të Prokurorit kompetent është inicuar rasti i klasifikuar sipas kodit penal të RKS-së ” Posedim i pa autorizuar i armeve ” , I dyshuari  mbetet të intervistohet dhe ndalohet derisa të përfundon procedura gjyqësore ndaj tij e cila do të zhvillohet në mënyrë të përshpejtuar.