Policia e Kosovës tregon për gjendjen e veturës së dy policëve

04.05.2018 12:36:18

Ushtruesi i Detyrës se drejtorit të Policisë së Kosovës, Naim Rexha, tha se sipas prokurorit nuk ka pasur ndërhyrje kriminale nga ndonjë faktor tjetër në aksidentin e dy policëve, trupit i njërit prej të cilëve është gjetur dje në Lepenc.

Ai gjatë raportimit të Komisionin për Punë të Brendshme, ka deklaruar se automjeti me të cilin ka qenë duke lëvizur policët ka qenë në rregull teknikisht dhe se nuk ka pasur ndërhyrje nga ndonjë faktor i jashtëm në automjet.

“Nga momenti i ndodhjes se rastit e deri me tani janë ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore dhe procedurale. Policia në fillim është marrë me administrimin e aksidentit, pastaj është fokusuar ne gjetjen e trupave. Nuk ka pasur kurrfarë ndërhyre nga asnjë faktor i jashtëm në automjet”, tha Rexha

“Automjeti del teknikisht në rregull, duke nënkuptuar sistemet funksionale me te cilat ai duhet të funksionojë. Të gjitha veturat tona i kanë lejet e qarkullimit të cilat lëshoje pas kontrolleve teknike. Punëtoritë tona mobile janë në teren në shërbim të zyrtarëve tanë dhe mjeteve të tyre”, shtoi Rexha.

Policët Malësor Dashi dhe Armend Trena ishin aksidentuar ditën e shtunë ndërsa vetura e tyre kishte rënë në rrjedhën e lumit Lepenc. Pas gjashtë ditësh kërkimi trupi i pajetë i Malësor Dashit është gjetur dje rreth 5 kilometra larg vendit të aksidentit, ndërsa kërkimet për Armend Trena janë duke vazhduar edhe sot.