Policia jep detaje për Taxi-n e dyshimtë që alarmoi Prishtinën

01.02.2017 17:20:05

Dje rreth orës 16:00 policia ka marrë informacionin lidhur me një veturë të dyshuar, e cila ka qenë e parkuar në mënyrë të parregullt në rrugën ”Garibaldi” në Prishtinë.

Patrulla policore i është përgjigjur këtij informacioni duke dalë në vendin e ngjarjes ku ka hasur veturën e tipit Opel Astra ngjyrë hiri, me mbishkrimin ‘Proffi Taxi’ me targa të Republikës së Serbisë e cila  kishte shkaktuar vështirësi në qarkullimin e trafikut rrugor si rezultat i parkimit jo të rregullt.

Sipas rregullit në rastet e kundërvajtjeve të tilla kur vozitësi i veturës nuk është prezent në vendngjarje vetura konfiskohet për tu krijuar kushtet optimale të qarkullimit në trafik.

Edhe në këtë rast policia ka ftuar në vendngjarje kompaninë për tërheqjen e veturës, porse pas analizimit të rrethanave, informacioneve të reja të mara nga qytetarët si dhe dyshimeve të ngritura, e njëjta nuk është konfiskuar menjëherë.

Kësisoj në vendin e ngjarjes janë ftuar ekspert të njësiteve të specializuara policore për ekzaminim të detajuar të veturës në mënyrë që të përjashtohet çdo dyshim i mundshëm   i ndërlidhur me prezencën e kësaj veture në rrugën e sipër cekur.

Ndërkohë që ekzaminimet kanë përfunduar dhe nuk kanë rezultuar me ndonjë gjë të dyshimtë policia ka identifikuar ngasësin e veturës; S. Z. serb, 28 vjeç, i cili është intervistuar nga ana e policisë.

Gjithashtu janë intervistuar edhe disa persona të tjerë në cilësinë e dëshmitarëve.

Në bazë të një hetimi preliminar të bërë nga ana e policisë, mbështetur edhe në dokumentacionin mjekësor të prezantuar nga ana e ngasësit si dhe rekomandimin   e mjekëve, është ngritur dyshimi që ngasësi i veturës të jetë person me një shkallë  të lartë të dëmtimit mendor si dhe person i varur nga substancat narkotike.

Përgjatë gjithë kohës sa është zhvilluar ngjarja, policia ka koordinuar veprimet e saja me prokurorin e shtetit.

Për rrjedhojë, pas kryerjes së ekzaminimeve të nevojshme vetura është konfiskuar dhe ndaj ngasësit të veturës është shqiptuar masa administrative me gjobë për veprimin kundërvajtës.