Policia/Ferizaj: Kamioni doli në shiritin e kundërt dhe goditi veturën, la të vdekur 3 persona

25.02.2017 22:58:58

Policia e Kosovës për rajonin e Ferizajt ka dhënë detaje tjera rreth tragjedisë që ndodhi sot në magjistralen Ferizaj-Kaçanik ku si pasojë e aksidentit të trafikut humbën jetën tre persona.

“Në një aksident trafiku të ndodhur sot rreth orës  13:21 në  fshatin Rakaj, kanë humbur jetën tre persona. Rasti ka ndodhur në rrugën magjistrale Ferizaj-Kaçanik në afërsi të fshatit Rakaj, ku sipas raporteve të para, ngasësi i automjetit transportues me targa lokale,  Rr.Q. ( m/sh/k  50 vjeç), i cili ishte duke qarkulluar në relacionin Ferizaj-Kaçanik,për shkaqe ende të panjohura, kalon në shiritin e kundërt të qarkullimit dhe godet automjetin e udhëtarëve i cili ishte në përballëkalim , me ç’rast  ngasësi E.I.(m/sh/k/ 40 vjeç) dhe dy pasagjerët J.I.(m/sh/k 66 vjeç) dhe N.I. (f/sh/k 66 vjeç) pësojnë lëndime vdekjeprurëse, të cilat janë konstatuar nga mjeku në vendin e ngjarjes”, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë, lëndime serioze pëson  edhe ngasësi i automjetit transportues i cili dërgohet në QKUK Pishtinë për tretman mjekësor.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i cili ishte në vendin e ngjarjes, trupat e pajetë të viktimave dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore.

Hetuesit policorë në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit janë duke i zhvilluar hetimet lidhur me rastin.