Popullin duan ta përçajnë dhe po e kërcënojnë ata që kanë frikë nga humbja dhe nga Gjykata speciale

23.05.2017 15:35:04

Nga Rexhep Kastrati

Pjesëtarë të koalicionit PDK-AAK-Nisma, përveç shpërfaqjes së urrejtjes patologjike ndaj LDK-së, dhe përveç frikës nga humbja nga koalicioni LDK-AAK-Alternativa, dhe si efekt i këtyre, ka filluar të shfaqë një retorikë përbaltëse, përçarëse dhe të dëmshme për fushatën zgjedhore, por edhe për vetë procesin zgjedhor më 11 qershor. Kemi pasur rast të vërejmë një retorikë që ndan opullin në ata që na qenkëshin të pushkës dhe në ata që nuk na qenkëshin të pushkës, e që është përpjekje për të manipuluar opinionin, sidomos pjesën që tradicionalisht e ka manipuluar që nga kohë e luftës e këndej, jo thjesht për të mos lejuar që vota e asaj pjese të shkojë te parti të tjera, por edhe për të ngjallë një debat ndërqytetarë ndërmjet a tyre që mbështesin këta që na qenkëshin të pushkës, dhe mbështetësve të atyre që nuk na qenkëshin të pushkës, e që më shumë do të ishte debat për të bërë trysni në aspektin e ndjenjës kombëtare. Një debat i tillë, sigurisht se do të ishte edhe një lloj akuze për mbështetësit e atyre që nuk na qenkëshin të pushkës, se po mbështesin krahun “jopatriotik”, dhe për t’i detyruar që të mbështesin krahun “patriotik”.

Një arsye tjetër se përse po rishfaqin retorika të tilla përçarëse ka të bëjë edhe me përpjekjet për të fshehur vitet e qeverisjes së mbrapshtë, të keqe dhe të dëmshme për shtetin dhe për qytetarët, e që janë vite të kapjes së shtetit, të vendosjes së monopleve në fushat më të rëndësishme ekonomike, e që më tej ka të bëjë edhe me përpjekjet për të fshehur faktin se edhe pas 18 vjet nga përfundimi i luftës, dhe pas 9 vjet të shtetit të Kosovës, vazhdojnë të shpërfaqin strukura kriminale  dhe të njëjtat t’i paraqesin si alternativë për të ardhmen, si vizion për të ardhmen dhe si fillim të ri. Tashmë është konfirmuar edhe zyrtarisht se koalicioni LDK-AAK-Alternativa është i vetmi koalicion që nuk ka në listën e saj për kuvendarë asnjë të inkriminuar, apo që ka problem me drejtësinë. Dhe dallimi cilësor ndërmjet koalicionit PDK-AAK-Nisma dhe koalicionit LDK-AAK-Alternativa nuk ka të bëjë vetëm me çështje inkriminuese, por edhe me aspektin cilësor, profesional dhe të vetë vizionit, përkatësisht alternativës që përfaqësojnë. Është kështu për faktin se koalicioni PDK-AAK-Nisma, përveçse ka shumë të inkriminuar dhe me probleme me ligjin, ka edhe një nivel shumë të ulët të ekpsertizës, të intelektualizmit dhe të kapaciteteve njerëzore cilësore, për dallim nga koalicioni LDK-AKR-Alternativa, i cili prëveç faktit se nuk ka të inkriminuar apo me probleme me ligjin, ka një ekspertizë të lartë, ka një përfaqësim të madh të intelektualizmit dhe të profesionalizmit dhe për pasojë edhe një kompetencë dhe garanci të madhe për realizimin e programit qeverisës që ua ofrojnë qytetarëve.

Përveç këtyre, me rishfaqjen e retorikës përçarëse nga ana e koalicionit PDK-AAK-Nisma ka të bëjë edhe më përpjekjet për frikësimin e qytetarëve, edhe në kontekst të pjesës së parë të këtij shkrimi, edhe në kontekst të kërcënimeve që pak ditë Ramush Haradinaj shpërfaqi hapur kundër administratës shtetërore dhe punonjësve të tjerë të sektorit shtetëror dhe publik në Kosovë, e që ishte kërcënim për frikësimin e tyre dhe për t’iu nënshtruar këtij koalicioni të krimit dhe për ta votuar atë. Kjo retorikë që gjatë luftës dhe pas saj u pasua dhe i parapriu vrasjeve politike, që ua mori jetën shumë personaliteteve të rëndësishme politike, ushtarake dhe të medieve, por edhe shumë qytetarëve të tjerë anekënd Kosovës dhe jashtë saj, me rritjen e agresivitetit të saj, do ta vërë shoqërinë në një pozitë shumë të vështirë shantazhi, kërcënimi dhe mungese lirie për të shprehur lirisht vullnetin e saj politik. Prandaj, duhet një reagim shoqëror, një reagim intelektual dhe politik kundër kësaj retorike, e cila seriozisht po e cenon procesin zgjedhor dhe mund të cenojë rëndë edhe zgjedhjet. Dhe ky reagim duhet të jetë me mosrënien në provokim, në refuzimin e saj edhe në debate, edhe me votë, duke dëshmuar qytetari, dinjitet dhe guxim për të mos u frikësuar dhe për të mos heqë dorë nga liria e zgjedhjes, nga liria personale dhe nga liria politike.

Gjithsesi, kjo retorikë përçarëse që bazohet në ndarjen e shoqërisë në ata që na qenkëshin të pushkës dhe në ata që nuk qenkëshin të pushkës, mëton të realizojë një homogjenizim negativ ehde në kontekst me Gjykatën speciale, me kuptimin që të nxisë reagime të ndryshme gjoja në mbrojtje të vlerave të luftës, por që mëton të bëhet mbulesë për të inkriminuarit, si dhe trysni ndaj politikës, ndaj institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për mosarrestimin e tyre.