Presidenti Thaçi shpreh ngushëllime për vdekjen e Shimon Peres

28.09.2016 12:57:17

Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, ka deklaruar sot se me  pikëllim e ka marrë lajmin për vdekjen e njërit nga protagonistët kryesorë të përpjekjeve për paqe në Lindjen e Afërt dhe në botë, por edhe mikut të tij dhe të Kosovës, laureatit të Nobelit për Paqe, Shimon Peres.

“Për Izraelin, Shimon Peres do të mbetet burrështetasi që gjysmë shekulli e kaloi në shërbim të vendit”, shkruan Thaçi.

“Për botën ai do të mbetet një nga arkitektët kryesorë të Marrëveshjes së Oslos për Paqe dhe lideri që ka forcuar lidhjet e shtetit të tij me vendet e botës demokratike”.

Duke ngushëlluar të gjithë ata që ndjejnë dhimbje për këtë humbje, Presidenti deklaron se për Kosovën, Peres do të mbetet një mik që e ka përkrahur vendin tonë në ditët më të vështira dhe që e ka promovuar të drejtën e popullit tonë për liri dhe barazi.

“Këtë na e ka thënë kur na ka pritur në Jerusalem, por ia ka thënë hapur edhe tërë botës. Do ta respektojmë dhe do ta vlerësojmë kujtimin për të si një mik i përjetshëm i Kosovës dhe i popullit të saj”.